Plas te kavajasit, portieri braktis Besën pas disfatës ndaj Pogradecit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 11:22

Plas te kavajasit, portieri braktis Besën pas disfatës ndaj Pogradecit

Që nga humbja turpëruese 3-1 me Pogradecin në transfertë, portieri Princ Çali nuk është paraqitur më në stërvitje me Besën, duke e “braktisur” ekipin. Për atë ndeshje ai u fajësua si përgjegjës kryesor në dy nga golat e pësuar dhe duket se ka marrë vendimin për t’u larguar, por nuk mund të flitet ende për një ndarje zyrtare mes portierit dhe verdhezinjve. 

Princ Cali

Të pyetur në lidhje me mungesën e Çalit, drejtuesit e skuadrës kavajase nuk kishin përgjigje, pasi nuk e dinin çfarë ka ndodhur saktësisht me këtë lojtar. E sigurt është se portieri Çali nuk është i dëmtuar dhe nuk ka probleme shëndetësore.

Mungesa e gjatë e portierit tregon se ai mund ta ketë mbyllur aventurën me Besën, me të cilën u bashkua vetëm para pak muajsh. Besën duket se po e ndjekin problemet me portierët këtë sezon, pasi para nisjes së kampionatit u largua në mënyrë të befasishme titullari Festim Miraka, duke lënë një boshllëk të madh në një sektor të rëndësishëm për një ekip me pretendime. Erdhi Çali, por tashmë edhe ai largohet. Tani katërkëndori i portës verdhezi mbetet në dorë të kavajasit Dobjani.

SHAQE

Te Besa janë të ndërgjegjshëm se kanë gabuar shumë në këto tetë javë kampionat dhe ndeshjen e radhës me Devollin e vlerësojnë si pikën e kthesës për këtë sezon. Mbrojtësi korçar, Klevis Shaqe, i cili po paraqitet mirë në sezonin e parë me kavajasit, për “Panorama Sport” shprehet: “Çfarëdo që të themi, nuk e justifikojmë dot dështimin e deritanishëm.

sHAQE

Ka disa arsye, por do të veçoja moshën e re të lojtarëve, pra mungesën e përvojës. Grupi i lojtarëve të rinj jo pak herë e ndien presionin psikologjik gjatë ndeshjeve, në ndonjë rast gabojmë edhe nga vetëkënaqësia. Javët kalojnë shpejt dhe gabimet kushtojnë gjithmonë e më shumë në kampionat. Ndaj Devollit jemi të detyruar të kthehemi te fitorja dhe kam besim se do ta arrijmë objektivin. Nuk ka ndeshje të lehta dhe çdo gjë varet nga ne.

Luajmë në fushën e Peqinit, megjithatë jemi të vendosur më shumë se kurrë të bëjmë kthesën e madhe. Devolli nuk është më lart se ne, duhet ta mundim patjetër. Për veten nuk dua të flas shumë, dua thjesht të përmirësohem nga ndeshja në ndeshje. Besa është një reklamë mjaft e mirë për mua dhe këdo tjetër, kështu që duhet ta shfrytëzoj rastin që më është dhënë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"