Plas te Barcelona! Kuman lexon një komunikatë dhe braktis konferencën pa dijeninë e klubit: Mos pritni mrekulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 16:28

Plas te Barcelona! Kuman lexon një komunikatë dhe braktis konferencën pa dijeninë e klubit: Mos pritni mrekulli

Situata te Barcelona po tensionohet gjithnjë e më shumë. Mungesa e rezultateve ka vënë në dyshim vijimësinë e Ronald Kuman në pankinë dhe kjo situatë po sjell edhe më shumë kaos. Vetë trajneri ka bërë sot një gjest të papritur në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Kadiz që luhet nesër.

kuman

Trajneri, në vend që t’i përgjigjej pyetjeve, nxori një letër dhe lexoi një komunikatë për mediat, duke braktisur më pas sallën. Një vendim që ka lënë të çuditur përgjegjësit e zyrës së shtypit të Barcelonës, të cilët sipas mediave spanjolle, nuk ishin në dijeni për këtë vendim të trajnerit. Ky i fundit me sa duket ua kishte komunikuar vendimin vetëm kapitenëve të skuadrës dhe asnjë prej drejtuesve të klubit.

Komunikata ishte kjo në vijim:

“Klubi është në krahun tim si trajner në një situatë rindërtimi. Situata sportive ka lidhje me situatat financiare dhe anasjelltas dhe kjo nënkupton që duhet rindërtuar klubi dhe ekipi pa patur mundësinë që të bëhen investime të mëdha dhe kjo kërkon kohë.

Talentet e reja mund të jenë yje botërore pas dy vitesh. Gjëja e mirë është që të rinjtë të kenë mundësinë si Çavi e Iniesta, por kërkohet durim.

Do të jetë një sukses edhe renditja në një nga pozicionet e larta në La Liga.

Në Ligën e Kampioneve nuk mund të priten mrekulli. Europa është një shkollë e mirë. Humbja përballë Bajernit duhet fokusuar nga kjo perspektivë.

Procesi që po kalojmë në skuadër duhet të mbështetet në mënyrë të pakushtëzuar ne fjalë dhe fakte. Të mbështetet politika teknike dhe procesi që po realizojmë.

Unë e di që mediat e njohin këtë proces. Nuk është hera e parë në histori që ndodh një gjë e tillë. Shpresojmë te mbështetja juaj në këto kohë të vështira. Ne si skuadër jemi shumë të lumtur me mbështetjen e madhe të tifozëve ashtu siç e kishim kundër Granadës”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"