Plas “bomba” te Mançester Junajtidit, shokët nuk e duan më Ronaldon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 8:49

Plas “bomba” te Mançester Junajtidit, shokët nuk e duan më Ronaldon

Lojtarët e Mançester Junajtidit po e humbasin durimin me shokun e tyre të skuadrës, Kristiano Ronaldo, dhe e duan atë jashtë skuadrës. Një numër i konsiderueshëm futbollistësh të “Djajve” do të preferonin që sulmuesi portugez të transferohej sesa të vazhdonte situata e krijuar mes tij dhe klubit.

ronaldo

37-vjeçari dëshiron të largohet nga “Old Trafford” këtë verë, ndërsa Junajtidi këmbëngul që ai të respektojë kontratën. Por, një burim i klubit tregon për “The Sun” se kjo situatë e tejzgjatur i ka lodhur lojtarët e Mançesterit, të cilët kanë nisur të zemërohen nga këmbëngulja e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” për t’u transferuar në një klub që i garanton Ligën e Kampioneve këtë sezon.

“Tani ka nisur të zemërojë shumë lojtarë. Ai ka aleatët e tij në dhomën e zhveshjes, por shumë prej tyre u ka ardhur në majë të hundës për mënyrën sesi ai po i kërkon gjërat”, tha burimi brenda klubit për “The Sun”. Kristiano dëshiron të largohet nga “Old Trafford” 12 muaj përpara se t’i skadojë kontrata. Lojtari këmbëngul se ai kishte bërë një pakt zotërinjsh që nëse Junajtidi nuk do të kualifikohej në Champions, atëherë ata nuk do ta pengonin që ai të largohej.

Menaxheri i tij Zhorzh Mendesh i ka kërkuar administratorit të klubit, Riçard Arnold, që ai vetëm të vendosë çmimin e transferimit për një klub anonim që është gati ta paguajë. Por pronarët Glejzër këmbëngulin se ai nuk është në shitje. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te lojtari. Ronaldo nuk u paraqit në fazën përgatitore duke thënë se kishte probleme familjare. Ai luajti vetëm një pjesë loje në miqësoren e fundit kundër Vajekanos. Ndërsa në ndeshjen e javës së parë të Premier Ligës kundër Brajtonit u aktivizua vetëm në pjesën e dytë, por nuk e shmangu dot humbjen e Junajtidit 2-1.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"