Plani për Vllazninë, Cungu: Ja si do ta shpëtojmë skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2016 | 22:17

Plani për Vllazninë, Cungu: Ja si do ta shpëtojmë skuadrën

Armando Cungu synon të qëndrojë sa më gjatë në drejtimin e Vllaznisë, pasi edhe projekti i klubit me atë në krye të pankinës është 3- vjeçar.

1918632_950941524982874_6170187720219784445_n (1)Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, trajneri shkodran tregon planin me skuadrën e vendlindjes, garancitë që ka marrë nga kryebashkiakja Voltana Ademi, negociatat në të shkuarën dhe refuzimin për stolin, por edhe ofertat që ka marrë nga Tirana, Flamurtari e Bylisi.

Cungu rrëfen dëmtimin që i ka bërë imazhit të klubit intervista e liberianit të larguar Mohamad Kdouh, teksa prej akuzave të tij, tashmë te Vllaznia të huajt kanë frikë të afrohen. Për këto çështje, por jo vetëm, trajneri u mundua të fliste pa doreza.

Dy vite më parë, refuzuat të merrnit drejtimin e Vllaznisë, pikërisht në një situatë thuajse të njëjtë të klubit. Madje, ish-trajneri, Rudi Vata, ju pati cilësuar frikacak që nuk pranuat ofertën… Frikacak më kanë cilësuar ata persona, që kanë qenë te Vllaznia dhe nuk kanë ditur të bëjnë asgjë.

Unë nuk dua të merrem me ata që përdorin të tillë terma. Gjithsesi, për hir të pyetjes që më bëni, dua të sqaroj opinionin se sa herë kam pasur kërkesë nga klubi i Vllaznisë, kam qenë ose te Kukësi, ose te Laçi i angazhuar.

Pra, nuk ka qenë e mundur që unë të lija detyrën dhe të vazhdoja punën te Vllaznia.

OK, por në momentin që ju u larguat nga Kukësi dhe përpara se të shkonit te Laçi, Vllaznia ju bëri ofertë. Pse nuk pranuat?

Kjo është e vërtetë. Pasi u largova nga Kukësi, kam pasur ofertë nga Vllaznia, por gjithashtu edhe nga Tirana. Mirëpo, të dyja i kam refuzuar, sepse kam menduar që duhet të pushoja me familjen time pas asaj ngarkese të madhe që kam pasur atë periudhë te Kukësi.

Shumë presion dhe stres, por natyrisht edhe sukses. Sinqerisht kam qenë i lodhur dhe jo i gatshëm për Vllazninë. Merreni me mend, kam bërë çdo ditë vajtje-ardhje me makinë rrugën Shkodër- Tiranë, për 16 muaj. Në këto kushte, duke parë lodhjen, stresin, presionin dhe situatën, kam menduar të pushoj. Kjo ka qenë arsyeja, s’ka pasur punë frike.

Çfarë ju bindi tashmë që pranuat të merrnit Vllazninë?

Së pari, tregova që nuk jam frikacak (qesh). Normalisht që kam një detyrim ndaj qytetit dhe tifozëve, si shkodran që jam. Vllaznia më ka dhënë mundësi të bëhem futbollist dhe gjithashtu të nis rrugën e trajningut, ku punova si zv.trajner për tri vite, e më pas si drejtor klubi.

Kjo ishte arsyeja e parë që nuk mund të hezitoja të merrja skuadrën, ndërsa ajo që më bindi ishte kryebashkiakja Ademi, e cila më ka garantuar për një Vllazni ndryshe, shumë më serioze.

Për çfarë ju ka garantuar më konkretisht kryebashkiakja?

Duke nisur që nga pagat, që sipas zonjës Ademi janë të garantuara, pavarësisht se mund të ketë ndonjë vonesë të vogël. Gjithsesi, në këtë pikë edhe ne jemi të ndërgjegjshëm, sepse duhet t’i kuptojmë duke parë si funksionojnë buxhetet e bashkive.

Kryebashkiakja mbajti fjalën, sepse tashmë ka kaluar për lojtarët edhe dy rrogat e prapambetura, ndërsa më ka siguruar se do të ketë seriozitet maksimal për pjesën e mbetur të sezonit.

Kjo është ajo që më ka ngrohur më shumë dhe që vetë kam kërkuar. I kam thënë zonjës Ademi që, nëse unë do të jem trajner, së pari pagesat duhet të jenë të garantuara. Zonja Ademi më ka premtuar se Vllaznia do të shkojë drejt privatizimit, por këtë duhet t’ia lëmë kohës.

Cila është kontrata juaj dhe çfarë plani ju ka paraqitur klubi?

Plani i kryebashkiakes është afatgjatë dhe dëshira ime është që të qëndroj te Vllaznia sa më gjatë të jetë e mundur. Më është ofruar një kontratë 3-vjeçare, por fillimisht unë shikoj planin afatshkurtër.

Që do të thotë?…

Objektivi im i parë është mbijetesa e Vllaznisë për këtë sezon. Pasi të arrijmë këtë synim, atëherë do të ulemi sërish në bisedime me drejtuesit për planin që kanë. Natyrisht, synimi i kryebashkiakes është që në sezonin e ardhshëm të jetë një Vllazni tjetër, jo e rrezikuar.

Pse jo të tentojmë të jemi mes ekipeve që pretendojnë Europën. Gjithsesi, unë dhe kryetarja jemi me këmbë në tokë. Nuk mund të ndërtojmë një pallat për një ditë. Gradualisht do të përmirësohemi, sepse Vllaznia ka pesë vite që është dëmtuar.

Me këtë dua të them që nuk mund ta ndërtojmë si e duam ne, as për një muaj dhe as për 6 muaj. Sigurisht kjo kërkon durim nga opinioni sportiv në Shkodër dhe më kryesorja, duhen investime.

Ajo që më intereson momentalisht është vetëm që të mos rrezikojmë rënien nga Superiorja. Pastaj, nëse shkojmë drejt privatizimit të klubit, natyrshit do të jetë një Vllazni shumë më konkurrente dhe pa diskutim pretendente për trofe.

Të kalojmë te situata aktuale në skuadër. Jeni ankuar se disa prej lojtarëve janë stepur për të ardhur te Vllaznia. Na e sqaroni pak ku qëndron problemi?

Ky është realiteti dhe bëhet fjalë gjithmonë për lojtarë të huaj, jo për ata vendës, pasi më pak prej atyre që luajnë në kampionatin shqiptar kemi negociuar. Të huajt janë stepur për shumë arsye. Së pari, për mbarëvajtjen jo të mirë në vitet e fundit të klubit, borxhet e mbartura, paditë që kanë bërë disa ishlojtarë në FIFA etj. Mirëpo, ajo që na ka prishur shumë punë është jehona negative që është bërë në arenën ndërkombëtare.

Për çfarë bëhet fjalë?

Në gazeta të ndryshme në Europë është botuar intervista e lojtarit nga Liberia, Muhamed Kdouh, që ishte pjesë e Vllaznisë.

Akuzat e tij janë publikuar, madje edhe në mediat boshnjake. Kësisoj, një lojtar serb dhe një tjetër nga Guinea, që biseduam dhe arritëm marrëveshje, pasi kanë lexuar në media atë çfarë flitet për Vllazninë, nuk na janë afruar në skuadër.

Kam të ruajtur në telefon edhe mesazhet e tyre, teksa kategorikisht nuk kanë pranuar të vijnë. Edhe për disa lojtarë të tjerë të huaj që i kemi ftuar përmes menaxherëve të tyre të testohen, fillimisht kanë thënë po, e më pas kanë ndërruar mendje. Jemi munduar t’i bindim se situata nuk është ashtu siç është servirur, por ka qenë e pamundur. Natyrisht, këtë kosto e kemi vuajtur.

Me cilët lojtarë nga skuadrat e Superiores keni biseduar dhe nuk keni arritur një marrëveshje?

Është abuzuar pak me emrat, sepse janë futur në lojë edhe disa menaxherë që kanë dashur t’i sponsorizojnë përmes mediave.

Për cilët emra e keni fjalën?

Nuk është etike t’i përmend, sepse kam respekt për ata si lojtarë, por unë si trajner dhe drejtuesit e Vllaznisë nuk kemi kontaktuar kurrë.

Mos e keni fjalën për Morinën?

Interesant është fakti se për Morinën më kanë telefonuar tre menaxherë të ndryshëm. Jam habitur, por nuk mund të them se ka diçka të vërtetë, për më tepër që nga gazetarët të mediave lokale në Shkodër, por edhe tifozët kam mësuar për një deklaratë jo etike të lojtarit, edhe pse më vonë kam mësuar se ai e ka mohuar një gjë të tillë.

Flitet se kërkoni me ngulm Tafilin dhe Krujën?

Nuk mund ta mohoj që janë në planet e mia, por nuk është serioze që të flas për lojtarë, të cilët janë nën kontratë me klube të tjera.

Keni zyrtarizuar vetëm një afrim, Endri Vrapin…

Po, kishim nevojë për eksperiencën e tij. Na duhej të vendosim ekuilibër në mbrojtje. Por, hallet tona nuk mbarojnë këtu. Gjithsesi, edhe nëse nuk afrojmë ata që duam, sërish jam i bindur se me grupin që kemi, nuk do ta diskutojmë qëndrimin në Superiore.

Për çfarë keni nevojë më tepër?

Na duhen dy sulmues, por jemi të ndërgjegjshëm se në këtë periudhë është shumë e vështirë për t’i gjetur.

E ndieni presionin e tifozëve shkodranë?

Jo, unë mendoj se tifozët shkodranë do t’i kem në krah. Ata kanë qenë një shtysë e madhe që unë të marr përsipër drejtimin e Vllaznisë, pa lënë mënjanë këtu besimin e kryebashkiakes dhe familjen.

Së fundmi, na zbuloni pak cili klub ju bëri ofertë zyrtare, përveç Vllaznisë, pasi mësoi largimin tuaj nga Laçi?

Kanë qenë Flamurtari dhe Bylisi. Meqë më jepet rasti, i falënderoj për vlerësimin, por ua kam sqaruar pse nuk mund t’u përgjigjesha pozitivisht.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"