Plani i detajuar/ Siguria, ja si do të vendosen tifozët e Romës dhe Fejnordit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 21:55

Plani i detajuar/ Siguria, ja si do të vendosen tifozët e Romës dhe Fejnordit

Ditën e finales, 25 maj, do të ketë lëvizje të shumta në rrugët e kryeqytetit dhe Tirana do të jetë ashtu siç nuk e kemi parë ndonjëherë. Për këtë dhe për t’u dhënë sa më shumë lehtësi qytetarëve dhe tifozëve që do të ndjekin ndeshjen në stadium, por edhe atyre që do të vendosen në “Fan Zone”, Policia e Shtetit ka përgatitur një plan të detajuar, së bashku me struktura të tjera dhe në bashkëpunim me sektorin e sigurisë së UEFA-s dhe klubet për ardhjen e tifozëve nga aeroporti në stadium.

Roma-Feyenoord

Tifozët e Romës do të grumbullohen në Parkun e Madh, ndërsa tifozët e Fejnordit do të grumbullohen në shëtitoren “Murat Toptani”. Autobusët do të ndalojnë në Rrugën e Kosovarëve për tifozët e Romës dhe pastaj ata do të kalojnë nga diga e Liqenit dhe do të futen në brendësi tek Amfiteatri. Aty do të jetë pika e grumbullimit për tifozët e Romës, ku do të ndjekin ndeshjen në një monitor të madh.

Për arsye sigurie, tifozët do të lëvizin tri orë përpara fillimit të ndeshjes, nga pika e kalimit, duke kaluar në këmbë, nëpërmjet Parkut të Liqenit, te rruga “Lekë Dukagjini” dhe duke ardhur drejt sheshit “Nënë Tereza” ku do t’i afrohen pjesës jugore të stadiumit, ku është hyrja për ta.

Rruga “Lekë Dukagjini” do të ndahet në dy pjesë, me skela, ku një pjesë do të jetë për automjetet që do të futen në stadium dhe pjesa tjetër për tifozët e Romës, të cilët duke u afruar në këmbë, do të kalojnë kontrollet policore dhe kontrollet e “steward”-ëve për t’u futur në stadium. Kontrolli do të nisë nga Universiteti Politeknik, ku do të jetë Policia e Shtetit dhe më pas, duke u afruar te perimetri i sigurisë së stadiumit, është kontrolli tjetër i “steward”-ëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"