“Plakushi” Oto Bariç: Ju tregoj sekretin e Kroacisë, nuk shkova në Rusi prej stresit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2018 | 22:46

“Plakushi” Oto Bariç: Ju tregoj sekretin e Kroacisë, nuk shkova në Rusi prej stresit

Surpriza e këtij Botërori nuk është Kroacia, por eliminimi i hershëm i Brazilit. Ky është mendimi i “plakushit” Oto Bariç. Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, tani 85 vjeç, ka analizuar kompeticionin që u zhvillua në Rusi dhe tregon shanset që kanë kroatët për të mposhtur Francën. Sipas tij, “Gjelat” kanë pak avantazh, por Kroacia ka treguar se mund të luajë me të gjitha si e barabartë dhe mund të fitojë. Për të, Luka Modriç është një magjistar, i cili mund të zgjidhë ndeshjet. Bariç gjithashtu i ka thurur elozhe trajnerit Daliç për frymën që ka sjellë në grup.

Baric

Jeni i surprizuar nga suksesi i Kroacisë në Botëror?

Ne në Kroaci kemi qenë gjithmonë të bindur për skuadrën tonë. Ne mund t’i mundim të gjithë dhe nuk e kemi frikë aspak Francën. Argjentina dhe Anglia ishin gjithashtu favorite kundër nesh, por ia dolëm. Nëse jam surprizuar nga diçka në këtë Botëror, është eliminimi i Brazilit. Ata ishin të përgatitur në mënyrë perfekte për këtë Botëror dhe ishin shumë të fortë nga ana psikologjike. Por ja që edhe ata ikën.

Mendoni se është Luka Modriç lojtari më i mirë i kompeticionit?

Është një lojtar i artë. Fantastik. Unë mendoj se ai mund ta zgjidhë i vetëm finalen dhe mund të bëjë diferencën. I ka këto cilësi. E pashë disi të lodhur kundër Anglisë, por besoj që do të jetë rikuperuar.

Çfarë i ndodh kësaj skuadre, që pëson gol dhe më pas gjen forcë për të përmbysur Anglinë?

Është fryma e grupit dhe ajo që Daliç i ka sjellë kësaj skuadre. Ai e ka bërë këtë ekip që të luajnë për njëri-tjetrin dhe vetëm kështu mund të arrijnë sukseset.

baric2

Cili ishte sekreti i fitores kundër Anglisë?

Raporti mes lojtarëve dhe dëshira për të kaluar limitet. Është mahnitëse kur sheh që lojtarët fizikisht japin, madje më shumë nga sa kanë. Duhet ta themi që Kroacia ka luajtur më shumë minuta sesa të tjerat, por dominoi Anglinë dhe në minutën e 80- të gjente forcë për të shkuar te porta kundërshtare. Duket një ekip i përzgjedhur me kujdes.

Mendoni se portieri mund ta kishte ndalur goditjen e Tripierit?

Ishte i pafat, por ajo goditje ishte e vështirë për t’u ndalur. Por duhet ta themi që në pjesën e parë Kroacia nuk ishte e shkëlqyer. Në të dytën ata treguan vlerat e vërteta dhe kjo është ajo që skuadër mund të bëjë.

Kush lojtar ju ka surprizuar më shumë deri tani?

Është e vështirë të zgjedh dikë në veçanti. Shumë lojtarë kanë bërë mirë dhe kemi disa heronj në kombëtare. Vida më ka surprizuar, Lovren dhe Modriç kanë luajtur mirë. Kroacia ka shumë lojtarë që japin maksimumin, prandaj fitojnë.

oto baric

Goli i Perisiçit ishte fantastik…

Ishte gol spektakolar. Ai erdhi nga mbrapa dy lojtarëve dhe e ngriti këmbën shumë për t’i vjedhur kohën kundërshtarit. Perisiç ishte një nga më të mirët. Ai e fitoi ndeshjen duke asistuar golin e dytë. Punoi shumë mirë në atë ndeshje, por në fakt goli nuk e ka dashur shumë sepse rastet i ka pasur. Ka goditur dy herë shtyllën.

Çfarë i ka sjellë Daliç Kroacisë?

Ai ka punuar shumë dhe mirë. Ka qenë i ndershëm në gjithçka ka bërë. I drejtë me të gjithë dhe solli frymën e grupit.

Si do të jetë ndeshja kundër Francës dhe faktorët që mund ta vendosin?

E rëndësishme është që të pushojnë mirë dhe të fitojnë forcat, sepse nuk do të jetë e lehtë. Duhet të përgatiten përballë një ekipi që është nga ana psikologjike më e fortë sesa Kroacia. Ata dinë si të luajnë shpejt dhe fort, por shanset janë 50-50. Mendoj se pak fare Franca është më favorite, por Kroacia ka treguar se kundër saj nuk ka favoritë.

Përveç suksesit të Kroacisë, sa ju ka pëlqyer ky Botëror?

Nuk më pëlqen shumë. Për shijet e mia futbollistike janë shumë ekipe në këtë kompeticion. Dhe në të ardhmen do të ketë më shumë skuadra. Kjo është antifutboll.

Ky kompeticion nisi si Botëror, por përfundoi si Europian. Është rastësi?

Jo. Ekipet europiane ishin më të përgatitura sesa të tjerat. Grupi dhe kolektivi ishin më të rëndësishmet dhe bënë diferencën në krahasim me individualitetet.

Pse nuk jeni në Rusi?

Kisha ftesë për të qenë, por është shumë stresuese për mua.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"