Plaku: Po sakrifikoj për ekipin, Kamza pa mbështetje të jashtme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 11:25

Plaku: Po sakrifikoj për ekipin, Kamza pa mbështetje të jashtme

Sebino Plaku edhe dje e tregoi se e meriton shiritin e kapitenit te Kamza. Ndonëse po sakrifikon duke luajtur më i tërhequr, ai dje shënoi një gol të bukur. Plaku e pranon se tani nis pjesa më e vështirë për Kamzën, pasi skuadrës i mungon mbështetja e faktorëve të jashtëm.  Gjithsesi, në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Plaku shprehu besim në sigurimin e mbijetesës së Kamzës.

Plaku

E nisët keq ndeshjen, pasi dy golat u penalizuan te rezultati final…

E drejtë, pasi për një ekip si ne është shumë e rëndë të pësosh dy gola që në fillim të ndeshjes. Dy golat erdhën për fajin tonë. Në kampionatin tonë, kush shënon i pari, zakonisht fiton ndeshjet. Rallë ndodh që të kthehet rezultati. Ishte shumë e vështirë, nuk po them e pamundur, pasi në pjesën e dytë luajtëm mjaft mirë. Duke vuajtur pësimin e dy golave është e rëndë psikologjikisht.

A mendoni se largimi i Fushtarit po ndikon në mbrojtje?

Nuk mendoj, pasi Lelis, nëse mund ta quajmë zëvendësuesin e Fushtarit, ka luajtur edhe pjesën e parë të sezonit. Ka bërë ndeshje të mira, por mendoj se ishte shpërqendrim. Nuk e kemi luksin që t’i lejojmë Partizanit të shënojë dy gola.

A mendoni se ishte rezultat i drejtë?

Nuk mendoj se ishte rezultati më i drejtë. Dominuam pjesën e dytë, por nuk ia dolëm. Terreni ishte më rënduar dhe na e vështirësoi punën.

Po luani shumë larg portës, a po sakrifikoni për ekipin në këtë rol?

Po sakrifikoj për ekipin, pasi te Kamza nuk e ke luksin të luash gjithmonë ku do. Po e vuaj faktin që po luaj larg portës, por nuk kam se çfarë të bëj. Jam munduar të përshtatem shpejt në rolet e mija të reja, pasi duhet të jem i dobishëm aty ku e kërkon trajneri.

Pjesën e parë të kampionatit e mbyllët brenda objektivave, po në dy fazat e tjera çfarë prisni?

Pjesën e parë të sezonit e kemi mbyllur brenda objektivave. Do të mundohemi të jemi sërish aty ku duam edhe në dy fazat e mbetura. Tani fillon pjesa më e vështirë, pasi ekipet e ardhura nga Kategoria e Parë e vuajnë pak pjesën e dytë. Ne jemi të përgatitur dhe trajneri ka punuar te kjo pjesë. E dimë që s’kemi mbështetje nga faktorë të jashtëm.

Çfarë nënkuptoni me faktorë të jashtëm?

Po e nis që nga mungesa e tifozërisë, ne nuk kemi shumë mbështetje. Kemi mungesë përvoje, pasi vetëm ne dhe Lushnja vijmë nga Kategoria e Parë, kështu që mund ta vuajmë pak këtë pjesë. Trajneri na ka folur shumë dhe besoj se do ta përballojmë me sukses.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"