Plagosja e një tjetër afro-amerikani, bojkot historik i ndeshjeve në NBA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2020 | 0:27

Plagosja e një tjetër afro-amerikani, bojkot historik i ndeshjeve në NBA

Tre muaj pas vdekjes së Xhorxh Flojd, rasti i Jakob Blejk rindez fuqishëm protestat antiraciste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë kampionët e NBA, të cilët qëndrojnë të grumbulluar në Orlando.

960x0

Vetëm pak minuta para se të niste takimi i pestë “play off” ndërmjet Miluokit dhe Orlandos, lojtarët e “Bucks” vendosën për bojkotimin e kësaj sfide. Ata refuzuan të futen në parket duke shkaktuar më pas edhe efektin domino te ndeshjet e tjera, të programuara për mbrëmjen e djeshme (Hjuston-Oklahoma dhe Lejkërs-Portland).

Një vendim historik, i cili erdhi pas ngjarjes në Kenosha, aty ku një 29-vjeçar me ngjyrë u qëllua shtatë herë me pistoletë nga një polic, ndërsa është në gjendje të rëndë për jetën. NBA ka bërë të ditur se këto tri takime nuk janë anuluar, por do të shtyhen në një tjetër datë, e cila ende nuk është caktuar. Vendimi i Miluokit u përshëndet edhe nga Aleks Lasri, zv.presidenti dhe djali i pronarit të “Bucks”: “Disa vlera janë më të mëdha se basketbolli. Vendimi i marrë nga lojtarët tregon qartë që jemi të lodhur.

_114134774_gettyimages-1228216231

Duhet të vijë ndryshimi dhe për këtë gjë jemi në krah të lojtarëve për ta dërguar përpara këtë kauzë. Jam krenar për veprimin e lojtarëve” shkruan Lasri në një postim të bërë në rrjetet sociale. Në këtë protestë u bashkuan shumë yje të basketbollit dhe më gjerë, të cilët kanë nisur luftën e tyre antiraciste. Megjithatë, pas mbledhjes së djeshme, duket se lojtarët kanë vendosur t’i japin fund bojkotit dhe sfidat e “play off”-it pritet të rinisin sot.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"