EKSKLUZIVE/ Tirana mori titullin e vitit 2000 me ndeshje plej of, Muxhaj: Ishte trofeu i Tomorit, shpikën rregullore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2020 | 0:20

EKSKLUZIVE/ Tirana mori titullin e vitit 2000 me ndeshje plej of, Muxhaj: Ishte trofeu i Tomorit, shpikën rregullore

Në një kohë kur kampionati është i pezulluar dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë në vazhdim, pasi është gjendje emergjence për shkak të pandemisë nga Koronavirusi, rrjedhimisht lind pyetja se çfarë do të ndodhë me titullin kampion të Superiores, nëse ndërprerja do të jetë e gjatë. Do t’i jepet Tiranës kryesuese? Do të ketë “play off”? Apo ndonjë zgjidhje tjetër…

Muxhaj
Ndër rastet më të diskutuara të titullit kampion në Shqipëri është ai i sezonit 1999-2000, kur Tirana dhe Tomori e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta. Atëherë nuk kishte një shkak madhor si tani, ku rrezikohet jeta e njerëzve, por ai titull mbetet ende një plagë e hapur për beratasit, të cilët e quajnë vjedhjen e madhe që u është bërë nga Tirana.

Muxhaj3

Madrit Muxhaj, portieri dhe kapiteni i Tomorit në atë kohë, në një prononcim për “Panorama Sport” tregon zhgënjimin e madh dhe përjetimin e asaj situate. “Eh, ajo histori ka ikur tani. Çfarë të them? Ne të gjithë e dinim se ishim ne fituesit e titullit kampion, duke u bazuar te rregulli i ndeshjes në fushë kundërshtare. Fituam 1-0 në Berat dhe barazuam në fushën e Tiranës.

Muxhaj

E quanim çdo gjë të mbyllur. Papritur doli se duhej të luanim një ndeshje shtesë. Ne nuk donim ta luanim ndeshjen shtesë dhe situata vazhdoi kështu për një javë. Ndiheshim ne fituesit. Por ishte detyrim, pranuam ndeshjen shtesë në Elbasan dhe shkoi ashtu si shkoi. Të gjithë e dinë se ai titull i takonte Tomorit”, – rrëfen Muxhaj, i cili ishte kthyer nga jashtë vendit pas disa vitesh dhe bënte pjesë në një skuadër pretendente, me elementë si Klodian Arbëri dhe Gjata dhe të përforcuar me Malokun, Deliun dhe Rustamin e të tjerë.

Ndeshja shtesë në Elbasan u fitua nga Tirana, me penallti, pasi 90 u mbyllën në barazim 1-1. Në Berat kujtohet gjithmonë si “vjedhja e madhe” dhe që atëherë çdo ndeshje e Tomorit me Tiranën shihet si mundësi për “hakmarrje” ndaj kësaj skuadre.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"