Pjesëmarrja në Kupat e Europës, 3 klube rrezikojnë kampionatin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 23:15

Pjesëmarrja në Kupat e Europës, 3 klube rrezikojnë kampionatin (E PLOTË)

Shqipëria është vendi i çudirave dhe futbolli nuk ka se si të bëjë përjashtim. Po flasim për futbollin elitar dhe konkretisht për disa nga klubet që pretendojnë të mbyllin sezonin në vendet e para. Le ta bëjmë të qartë që në fillim: çështja është për pjesëmarrjen në Kupat e Europës ku, për fat të keq, tre nga klubet më të rëndësishme të elitës së futbollit shqiptar sot për sot nuk kanë të drejtë të marrin pjesë. Për cilindo që ka dyshime, po i bëjmë të qarta gjërat që në fillim:

Tirana - Flamurtari fair play

1) Skënderbeu është i dënuar nga UEFA me 10 vite dhe 1 milion euro gjobë. Për aq kohë sa KAS-i nuk e ndryshon këtë vendim, Skënderbeu mund edhe t’i fitojë sërish të dy trofetë, ashtu si edhe sezonin e kaluar, por nuk luan dot në Europë.

2) Tirana në prill të këtij viti nuk arriti të tërhiqte dot as paratë e një sezoni më parë, kur mori pjesë në Europë. Aktualisht, e palicencuar për pjesëmarrje në kompeticionet europiane për shkak të borxheve të mëdha që ka klubi, një pjesë e madhe, e trashëguar nga koha kur administrohej nga bashkia.

flamurtari skenderbeu

3) Flamurtari nuk u licencua sezonin që shkoi për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Arsyeja? Thuajse njësoj si Tirana… Borxhe të pashlyera, një pjesë e madhe të mbartura nga koha kur administrohej nga bashkia.

ALARM TOTAL

Situata e tre klubeve të lartpërmendur nuk ka ndryshuar këtë sezon. Hiç fare! Skënderbeu është ende në pritje të vendimit të KAS-it, ndërsa Tirana dhe Flamurtari nuk kanë zgjidhur asgjë nga maji e këtej. Asnjë deklaratë zyrtare se bilancet me “pullë të kuqe” janë përmirësuar… Asnjë shitje e bujshme lojtarësh, asnjë aksioner i afruar apo sponsor me peshë që të mund të zbusë situatën financiare të tyre. Momentalisht janë në vendnumëro dhe deri tani, pra, janë jashtë Kupave të Europës.

SHPRESAT MBETEN 

Me të drejtë, dy nga tre klubet, Tirana dhe Flamurtari, mund të pretendojnë me zë të lartë se deri në muajin mars, kur mbyllet edhe faza e aplikimeve për licencim, e mund të ndryshojnë shumë gjëra. Fjala vjen, mjafton që gjatë kësaj periudhe të shesin një lojtar, të afrojnë aksionerë të rinj, apo të bëjnë ndonjë goditje të bujshme me ndonjë sponsor që u sjell të ardhura marramendëse.

kategoria-superiore

Nëse gjejnë një zgjidhje të tillë ose të ngjashme, këto dy klube mund të garojnë të qeta deri në fund pa pasur frikën se mundi do t’u shkojë dëm dhe vendin në Europë t’ua zërë dikush tjetër që mund të renditet poshtë tyre. Tingëllon e vështirë ta gjejnë zgjidhjen financiare, por nuk është as e pamundur. Ndërsa Skënderbeu, ndryshe nga këto, duhet të presë deri në fund për KAS-in. Do t’i duhej një mrekulli, por shpresa vdes e fundit, apo jo?

FRIKA E MADHE

Idealja do të ishte që të tre klubet të mund t’ia dilnin mbanë dhe të licencohen për të marrë pjesë në Europë vitin tjetër. Po nëse nuk ia dalin? Atëherë frika e madhe nuk është vetëm se tre klube të rëndësishme mbeten jashtë Europës dhe do të humbin mundësinë për disa të ardhura jetike, por do të cenohej rëndë edhe kampionati. Shpjegimi është i thjeshtë: nëse këto tre klube, apo qoftë edhe ndonjë tjetër që rrezikon t’i shtohet listës së tyre, nuk arrijnë të licencohen për të marrë pjesë në Europë, atëherë për çfarë motivi do të luajnë në kampionat?!

Rrezikon, pra, të ripërsëritet historia e vitit të kaluar, kur papritmas Flamurtari nisi një seri rezultatesh negative dhe në fund “u mjaftua” vetëm me mbijetesën. Po, sepse është e vështirë të motivosh ekipin dhe të luftosh për një vend në Europë kur je i ndërgjegjshëm se nuk do të luash. E njëjta frikë është edhe për Tiranën e Skënderbeun… Ka një rrezik të madh që nëse këto klube nuk licencohen për të marrë pjesë në Kupat e Europës, ato në mënyrë edhe të pavullnetshme, mund të komprometojnë garën për shkak të mungesës së impenjimit. Kjo më pas do të përmbyste radikalisht edhe renditjen në Superiore dhe mund t’i jepte goditje të rëndë kampionatit.

ZGJIDHJA E PROBLEMIT 

Çështja e Skënderbeut është në dorë të avokatëve, por ndryshon puna me Tiranën dhe Flamurtarin. Nëse lëvizin që tani duke afruar sponsorë, por mbi të gjitha nëse iu kërkojnë bashkive, të cilat janë edhe pronare të klubit, që të mund të kontribuojnë për zbutjen e borxheve, atëherë ka shanse të mira që Tirana dhe Flamurtari të luftojnë siç u takon deri në fund dhe të mos cenohet gara. Në të kundërt, do të detyrohemi të shohim “pirueta” nga më të çuditshmet për t’i shmangur vendet e para…

JETMIR HALILAJ 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"