Pjesë e Partizanit që nga 7 janari, afrimi i ri projektohet titullar ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 23:24

Pjesë e Partizanit që nga 7 janari, afrimi i ri projektohet titullar ndaj Skënderbeut

Partizani do të luajë kundër Skënderbeut ditën e shtunë, sfidë e vlefshme për javën e 14-të të Kategorisë Superiore. “Demat” do të synojnë të kthehen te fitorja, pas humbjes në Laç dhe barazimit kundër Apolonisë. Në transfertën korçare, Partizani do të jetë ndryshe. Sulmuesi i afruar disa ditë më parë, Stenio Zhunior, do të jetë i gatshëm për sfidën kundër Skënderbeut. Braziliani është në kontratë me të kuqtë që me datën 7 janar, por nuk u grumbullua për sfidën ndaj Apolonisë. Ndërsa kundër Skënderbeut, pritet të jetë titullar në formacionin e Dajës.

Murataj Stenio

Zhunior u afrua te Partizani me shumë bujë dhe pritet të jetë goleador i munguar i “demave”. Ndryshe nga Stenio Zhunior, Valentino Murataj është ende në pikëpyetje. Edhe mesfushori është zyrtarisht pjesë e “demave të kuq” dhe parashikohej të ishte titullar kundër Skënderbeut, por një vonesë në federim mbetet problem. Vonesa e federimeve dhe e prezantimeve nga Partizani vjen edhe për faktin se disa nga prurjet mund të regjistrohen tek ekipi B, në mënyrë që të kenë vende bosh për goditje të minutës së fundit. Pastaj, klubi nuk do që të nxitohet, pasi nga ekipi i parë priten edhe largime, të cilat mund të krijojnë hapësira federimesh kokë më kokë.

Ndërsa dilema tjetër e Dajës, është krahu i djathtë i mbrojtjes. Pas pezullimit të Idrizajt, me shumë gjasa do të jetë Esat Mala ai që do të mbulojë hapësirën e lënë bosh. Sa i takon mesfushorit Donald Mëllugja, ende nuk i është bashkuar Partizanit. 25-vjeçari nuk ndodhet as në Ballsh dhe transferimi i tij te “demat” është i sigurt dhe pritet të zyrtarizohet në ditët në vazhdim, por deri më tani, nuk është pjesë e grupit.

FORMACIONI

STËRVITJA DHE NDESHJA NË KORÇË

Ndryshe nga dy ditë më parë, kur stërvitja e klubit u zhvillua në orën 14:00, ditën e djeshme seanca stërvitore ka startuar në orën 11:30, në kompleksin “Football Republic”. I gjithë grupi ka qenë i gatshëm për trajnerin Daja, duke kryer seancë të plotë. Edhe Murataj dhe Idrizaj janë stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës. Sfida kundër Skënderbeut, vlen më shumë se tri pikë për Partizanin. “Demat” duan të gjejnë fitoren e parë për këtë vit të ri, si dhe duan të rikthehen te triumfi pas dy sfidave ndaj Laçit dhe Apolonisë. Renditja i gjen të kuqtë në vend të dytë, por distanca me Vllazninë është shtuar, me kryesuesit e Superiores që kanë 9 pikë më shumë pas 13 javësh kampionat. Partizanit i duhet medoemos fitorja, që të shpresojë te ngushtimi i distancës me Vllazninë, që ka një sfidë delikate kundër Kukësit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"