Piontek dhe Çalhanoglu, dy klubet angleze zbarkojnë në Milano

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2020 | 10:43

Piontek dhe Çalhanoglu, dy klubet angleze zbarkojnë në Milano

Nëse situata e Susos tashmë do të përflitet edhe me tone nervoze në këto ditë të fundit merkatoje, në Milano ndoshta mund të jenë ditët e fundit edhe për lojtarë të tjerë, për emra që konsideroheshin si yjet e këtij ekipi, por që sivjet janë shumë larg famës së tyre. 

piatek-paqueta-calhanoglu

Tjetër futbollist që mendon të bëjë valixhet është edhe Kristof Piontek, për të cilin tashmë po interesohet edhe Mançester Junajtid, ndonëse ka pasur edhe disa sondazhe jo shumë serioze edhe nga Barcelona, si një zëvendës i mundshëm i Luis Suarezit, aktualisht i dëmtuar. Gjithsesi, “Djajtë e kuq” kanë zbarkuar me dy emisarë të tyre në Milano, për t’u njohur me kushtet e Piontekut, duke iu shtuar kështu listës tjetër të skuadrave si Totenhemi, Aston Vila, Njukasëll dhe Fiorentina. Milani kërkon të paktën 35 milionë euro, ndonëse edhe me një ofertë 30-milionëshe palët do të gjenin dakordësinë mes tyre.

hakan calhanoglu

ÇALHANOGLU – Sirena angleze edhe për Hakan Çalhanoglunë. Mesfushori turk, i cili ndiqet gjithashtu edhe nga gjermanët e Lajpcigut, është vënë në shënjestrën e Arsenalit për të përforcuar grupin e lojtarëve nën urdhrat e trajnerit Mikel Arteta. Gjithsesi, ideja e “Topçinjve” të Londrës është ajo e një huazimi, me të drejtë blerjeje, pasi tek Arsenali nuk janë plotësisht të bindur se për numrin 10 kuqezi ia vlen një investim prej 22-23 milionë eurosh, shifra që kërkon “Djalli” për Hakan Çalhanoglunë.

lukas paketa

PAKETA – Një tjetër lojtar në dalje, por për të kërkohet vetëm shitja definitive është edhe Lukas Paketa. Dje ka ardhur kërkesa e radhës e drejtorit sportiv të PSG-së, Leonardo, por ky i fundit këmbëngul për një huazim me të drejtë blerjeje, ose në rast të kundërt, Milani duhet të ulë pretendimet për mesfushorin brazilian, poshtë 35-38 milionë eurove që kërkon për Paketan. PSG-ja deri më sot ka arritur deri në shifrën 22 milionë euro, plus 5 milionë bonuse.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"