Pioli me dy faktorë, 2020-ta e Milanit ka ritëm Champions-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 9:48

Pioli me dy faktorë, 2020-ta e Milanit ka ritëm Champions-i

Milani pret nesër Juventusin dhe koha për lojëra fjalësh është e paktë. Sezoni i ndeshjeve të kthimit në Serinë A na ka shpalosur një “Djall” tjetër. 25 pikë në 13 ndeshje dhe një mesatare prej 1.9 pikësh çdo 90 minuta. E ardhmja është aktualiteti, pavarësisht se prej muajsh flitet e mendohet për sezonin e ardhshëm. Stefano Pioli nuk u shmanget detyrave e nuk lejon hutim duke i garantuar ekipit një ritëm Champions-i. Fitoret me skuadrat nga Roma janë vetëm kulmi i një pjekurie taktike e mendore të shfaqur gjatë vitit 2020. Kthesa erdhi më 19 janar kundër Udinezes.
Photo Massimo Paolone/LaPresse February 13, 2020 Milan, Italy soccer Milan vs Juventus - Italian Football Cup 2019/2020
KTHESA – Java e parë e fazës së kthimit dhe kuqezinjtë e gjejnë veten në disavantazh të një goli. Në fraksionin e dytë të lojës në fushë zbret Ante Rebiç dhe fiton takimin. Sigurisht, përveç kroatit, ndikoi edhe pjekura që solli dimri me Zlatan Ibrahimoviçin dhe Simon Kjaerin. Ndeshjet pasojnë njëra-tjetrën dhe Milani grumbullon pikë me ritëm shumë herë më të lartë se ai i fazës së parë. Për të kuptuar situatën, mjafton të themi se nëse do të ishte luajtur vetëm gjatë 2020-ës, “Djalli” do të renditej i vetëm në vendin e katërt të Serisë A. Në fund të 2019-ës skuadra ishte në vendin e 11-të me 21 pikë, teksa pikët diferencë me Romën ishin 14, ndërkohë që sot janë shumë më pak. Kalendari nuk është aleat i Piolit, por me këtë ritëm Europa nuk është edhe aq e pamundur.
rebic.milan.2019.20.abbracciato.gruppo.750x450
FAKTORË “IÇ” – Në ecurinë e skuadrës ka ndikuar pa dyshim ambientimi i lojtarëve me njëritjetrin, por impakti i Ante Rebiçit është i pamohueshëm. Kroati shënon çdo 62 minuta dhe gjatë 2020-ës ka shënuar 9 gola në kampionat duke ndikuar fuqimisht në renditjen kuqezi. Vlerat i njihen tashmë, aq sa klubi po mundohet ta blejë që sivjet pavarësisht se me Frankfurtin parashikohet një takim në 2021-shin. Situatë analoge ajo e Zlatan Ibrahimoviçit, vetëm se suedezit i skadon kontrata sapo Milani të mbyllë sezonin. Katër gola gjatë këtij viti kalendarik ndoshta nuk janë shumë, por 38-vjeçari ka ditur të ngrejë nivelin mendor dhe vetëbesimin e një ekipi me moshë të re e me pak përvojë, ndaj në këtë ecuri faktori “IÇ” ka rezultuar vendimtar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"