Pioli: Kjo humbje të dhemb, jam i shqetësuar. Por nuk e ka fajin Liga e Kampioneve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 18:12

Pioli: Kjo humbje të dhemb, jam i shqetësuar. Por nuk e ka fajin Liga e Kampioneve

Stefano Pioli e pranon se për të ishte e papritur humbja e sotme ndaj Sasuolos, Trajneri i Milanit ka shpjeguar pas disfatës 3-1 në shtëpi, e dyta radhazi në kampionat, se ekipi po gabonte gjëra të thjeshta dhe numri i madh i golave të pësuar së fundmi kishte filluar ta shqetësonte disi.

pioli

“Kjo humbje të dhemb sigurisht, ashtu siç dhemb ajo e javës së shkuar. Duam të arrijmë rezultate të ndryshme me një paraqitje të ndryshme nga kjo e sotmja.

Është e vërtetë që e vuajtëm shumë barazimin e tyre dhe nuk duhet të ndodhë. Kemi një mënyrë të qëndruari në fushë dhe duhet ta ruajmë edhe në vështirësi. Pas avantazhit duhej të menaxhonim më mirë topin, por pastaj në disavantazh kemi humbur qartësinë. 7 gola të pësuar janë shumë, duhet të mbrojmë më mirë ekipin.

Pasojë e Champions? Nuk ka të bëjë aspak Liga e Kampioneve. Kemi humbur shumë pasime të thjeshta, duke i dhënë kurajë një skuadre të shpejtë dhe teknike. Ndaj kur them se 7 gola janë shumë, e them sepse jam i shqetësuar.

Nuk duhet të dalim nga ndeshja me këtë nervozizëm. U mundova të qetësoja lojtarët në pushimin e ndeshjes, por sot nuk ishte dita më e mirë e mundshme. Mëkat, mund të qëndrohej në ndeshje deri në fund. Ky është një ngadalësim i papritur. Kur flas për qartësi, e kam fjalën për zgjedhje të gabuara. Në fillimin e pjesës së dytë u munduam me karakter që të rifillonim ndeshjen, por nuk e kemi bërë me cilësi”, tha Pioli pas humbjes së dytë radhazi të skuadrës së tij që komplikoi shanset për titullin kampion.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"