Pikët si tabu, trajneri i Elbasanit optimist: Fitojmë dhe qëndrojmë në kategori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2021 | 19:38

Pikët si tabu, trajneri i Elbasanit optimist: Fitojmë dhe qëndrojmë në kategori

Për Elbasanin përballja ndaj Tomorit konsiderohet si një finale. Verdhebluve iu bëjnë punë vetëm tri pikët.

egnatia elbasani

Situata para kësaj ndeshjeje duket e qetë në kampin elbasanas, të cilët shpresojnë te një rezultat pozitiv, që do t’i çlironte nga njolla si skuadra e vetme që nuk ka grumbulluar asnjë pikë për këtë sezon. Për “Panorama Sport”, trajneri Anxhelo Suta thotë se, e sheh më shumë problemin te aspekti psikologjik i të tijve. Ai kërkon me patjetër zhbllokimin në këtë takim dhe marrjen e tri pikëve.

“Ne vuajmë më shumë në aspektin psikologjik dhe do të tentojmë t’i japim fund njëherë e mirë këtij ngërçi ndaj Tomorit. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të jemi pa asnjë pikë, sepse çdo ndeshje që kalon vështirëson arritjen e objektivit.

E respektojmë kundërshtarin, por do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar. Lojtarët janë të mobilizuar për të treguar se meritojmë më shumë”,- u shpreh fillimisht tekniku elbasanas. Më tej, Suta lëshon sfidën për të gjitha skuadrat rivale, duke u kujtuar se janë Elbasani dhe asnjëherë nuk dorëzohen.

“Pavarësisht situatës ku ndodhemi, ne jemi Elbasani. Është një klub që ka ditur të ringrihet në momente të vështira dhe do ta bëjë edhe tani. Ne do të mbijetojmë në përfundim të këtij sezoni dhe këtë do ta tregojmë në vazhdimësi”, përfundoi numri një i pankinës elbasanase.

Elbasani

Përballja me Tomorin do të luhet këtë të dielë në stadiumin e Cërrikut, duke vijuar që Elbasani të mos luajë në shtëpinë e vet, teksa ende nuk e ka bërë “sefte” këtë sezon në “Elbasan Arena”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"