Pikëpyetjet dhe verdiktet/ “Paralizohet” futbolli, ja çfarë mund të ndodhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2020 | 17:22

Pikëpyetjet dhe verdiktet/ “Paralizohet” futbolli, ja çfarë mund të ndodhë

Koronavirusi paralizon futbollin. Në Itali, por edhe në shumë vende të tjera kanë vendosur që kampionatet të ndalen në pritje të zgjidhjes së situatës. Këto janë 5 pyetjet që mundojnë tifozët, por edhe drejtuesit e federatës italiane në këto momente.

12041820-3x2-700x467

1. Çfarë do të ndodhë me kampionatin?

Liga e Serisë A shtyu edhe dy javët e tjera që do të luheshin (duke qenë se java e fundit e marsit ishte rezervuar për ndeshjet e kombëtareve, të cilat gjithashtu janë në rrezik të fortë dhe ndoshta nuk do të luhen). Sot për sot flitet se gjithçka do të rinisë më 3 prill dhe deri në atë kohë organet kompetente duhet të kenë një plan konkret për mënyrën se si do të zhvillohet kampionati.

2. Si do të ndryshojnë verdiktet për titullin, ekipet e rëna dhe ato që do të ngjiten nga Seria B?

Kjo është një temë shumë serioze, e cila ka nisur të diskutohet dhe kanë dalë hipotezat e para. Nuk ka një rregull të saktë që e përcakton se çfarë do të ndodhë me kampionatin, por në këshillin federal ka nisur të flitet për të. Ideja për të certifikuar klasifikimin me javën e fundit të kompletuar nga të gjitha skuadrat është diçka që nuk i bind të gjithë. Ekziston edhe hipoteza që ky kampionat të shpallet i pavlefshëm dhe titulli të mos akordohet.

3. Si është situata për Champions-in dhe Europianin?

Për UEFA-n, Liga e Kampioneve dhe Europa Liga do të vazhdojnë të zhvillohen, disa me stadiume të hapura dhe të mbyllura. Në disa raste mund të luhen edhe sfida në fusha neutrale, por kjo do të vendoset hap pas hapi nga qeveritë përkatëse. Për kampionatin Europian 2020 është ende herët për të folur, por thuhet se Italia mund të kërkojë që ky kompeticion të shtyhet për t’u zhvilluar në vitin e ardhshëm.

4. Po futbollistët mund të vazhdojnë stërvitjen normalisht?

Po. Mund të stërviten në pritje të vendimeve të tjera. Vendimi i fundit i qeverisë italiane nuk mund t’u ndalojë atletëve profesionistë zhvillimin e aktiviteteve, duke qenë se disa prej tyre janë të impenjuar në Kupat e Europës, të cilat do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

5. Çfarë do të ndodhë me të drejtat televizive të futbollit italian?

Për momentin nuk ka asnjë përgjigje për këtë situatë. Të drejtat televizive janë në ajër për 3 javët e ardhshme të Serisë A. Të hënën, në datën 15 mars do të mbahet një asamble e Ligës (me videokonferencë) për të vendosur të drejtat televizive për sezonet nga 2021-shi deri në 2024-ën. Ky do të jetë momenti për të folur edhe për këtë vit.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"