Pike del kundër Mesit: Vetëvrasje nëse luajmë vetëm për Champions, te Barcelona dua edhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 20:27

Pike del kundër Mesit: Vetëvrasje nëse luajmë vetëm për Champions, te Barcelona dua edhe…

Gerard Pike nuk është kurrë banal. Flet hapur, është i sinqertë dhe tregon ambiciet e Barcelonës në këtë sezon. Në një intervistë për “Pokerstars”, mbrojtësi katalanas fton Pogbanë te Barcelona, vlerëson Realin dhe i del kundër Leo Mesit. Ai e konsideron vetëvrasje nëse ekipi përqendrohet vetëm në Champions, siç tha kapiteni disa ditë më parë.

pike

Si e shihni nisjen e sezonit të Dembelesë?

Ai bëri një fazë përgatitore të shkëlqyer dhe vazhdoi me formën e mirë edhe në ndeshjet e para zyrtare. Duhet të mos harrojmë që është një djalë i ri dhe viti i parë te Barcelona është i vështirë për të gjithë. Mund të na ndihmojë shumë sepse ka shanse të përmirësohet.

Ka ndryshuar ndonjë gjë te Mesi që kur ka marrë shiritin e kapitenit?

Mesi ishte lider i skuadrës dhe nuk kishte nevojë për shiritin. Kjo është qesharake të pyesësh nëse e ka ndryshuar fakti i të qenit kapiten. Ka shumë vite që është lider.

Çfarë i mungon Barcelonës për të bërë një hap të sigurt drejt Champions-it?

Duhet të mësojmë nga gabimet e vitit të kaluar dhe të mos kemi ditë të këqija si ato ndaj Barcelonës. Duhet të mbrohemi mirë dhe t’u mësojmë të rinjve linjën e kësaj skuadre.

Ju jeni i vetmi mbrojtës qendror që luan me të djathtën në skuadër. Mendoni se duhet të afrohen lojtarë të tjerë?

Mendoj se është shumë e lehtë që një mbrojtës i djathtë të përshtatet në të majtë dhe e kundërta. Për shembull, Ramos e bën këtë në mënyrë fantastike në kombëtare. Ata që përdorin këmbën e majtë e kanë më të vështirë, por këto janë detaje të vogla.

Pas asaj që ndodhi me fushën e shkatërruar të Vajadolidit, keni dëshirë akoma për të luajtur në Amerikë?

Nuk kanë shumë lidhje me njëra-tjetrën. Por jemi në vitin 2018 dhe kemi probleme me fushat e stadiumeve. Duhet të ketë njerëz përgjegjës për terrenet sportive sepse po flasim për një kampionat që është një nga më të mirët në botë dhe ka lojtarë të mëdhenj. Ajo që ndodhi jo vetëm që penalizonte lojën, por vinte në rrezik shëndetin e lojtarëve. Nëse ndodhte një dëmtim, nuk do ta falnim kurrë. Duhet të reflektojmë dhe të marrim vendime.

Si i vlerësoni afrimet e merkatos dhe në mënyrë specifike mbrojtësin Lenglet?

Jemi forcuar ndjeshëm në merkato, por të shohim se çfarë do të fitojmë në fund të sezonit. Lenglet ka pasim shumë të mirë dhe mendoj se ka bërë mirë në ndeshjet që ka luajtur. Duhet t’u japim kohë sepse janë të rinj, ashtu si Artur dhe Malkom.

Mendoni se Reali është më i dobët me largimin e Ronaldos?

Ata e kanë nisur kampionatin me dy fitore dhe kanë luajtur mirë. E njohim mirë Lopeteguin nga puna në kombëtare. Mendoj se Madridi është një ekip që tani po ndërtohet në bazë të grupit dhe jo të individualiteteve.

Si e komentoni fjalën e Mesit, i cili tha se duhet të mobilizohemi maksimalisht për Champions-in?

Ky titull është më i rëndësishmi sepse luajnë skuadrat më të mira të kontinentit, por ka shumë pak ndeshje dhe rrezikon të mbetesh jashtë. Do të ishte vetëvrasje nëse do të fokusohemi vetëm te Champions-i sepse me mënyrën tonë të të luajturit duhet të përqendrohemi te kampionati dhe te kupa. Nuk kemi fituar kurrë Championsin pa fituar kampionatin. La Liga është shumë e rëndësishme për të parë se ku mund të shkojmë.

Çfarë i mungon Barcelonës në këto kompeticione që zgjasin pak?

Nuk i mungon asgjë. Ne e dimë që në një kompeticion me shumë ndeshje jemi të fortë dhe në ndeshjet me eliminim ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Është ndryshe të luash në kampionat dhe në Champions. Duhet të kemi nivel më të lartë sesa ekipet e tjera.

Çfarë mendimi keni për VAR-in?

Ka gjërat e veta pozitive, por edhe negative. Sepse nuk mund të festosh një gol dhe pastaj të anulohet. Por na ndihmon ne dhe arbitrat. VAR-i largon presionin nga të gjithë.

Po e ndiqni atë që po ndodh në Mançester. Mendoni se Pogba do të ishte një goditje e zgjuar pas problemeve me Murinjon?

Nuk jam shumë i informuar çfarë po ndodh në skuadrat e tjera. Pogba është një lojtar i madh dhe është i Junajtid. Të shohim në të ardhmen nëse ndryshon skuadër, por do të ishte mirë të vinte. Do të na bënte të lumtur për të ardhmen, por ta respektojmë si lojtar i Junajtid.

Mund të riktheheni në Angli?

Jam i lumtur këtu me familjen time dhe dua të fitoj më shumë tituj me Barcelonën, skuadër që nuk kam ndërmend ta braktis.

Si e shikoni garën mes Liverpulit dhe Sitit në Angli?

Liverpuli është një ekip i madh dhe ka histori, ndërsa Siti po fiton stilin e Guardiolës. Për mendimin tim këta të fundit janë më të avantazhuar në Champions, por kurrë nuk i dihet.

Sot (dje) ju takoi Nejmari. I kërkuat të mos shkonte te Reali?

Nuk folëm për këtë çështje. E takova sepse erdhi në stërvitjen tonë. Ka shumë miq këtu dhe folëm për pak nga të gjitha. Jam i lumtur që e konsideron Barcelonën si shtëpinë e tij të dytë.

Barcelona është një ekip i madh në Europë, jeni favoritë për gjithçka?

Në fund të sezonit do t’i shohim rezultatet. Vlen të thuhet se kemi një skuadër të fortë dhe nuk është e mirë të mos ngremë trofe.

Do të jetë Ramosi lideri i kombëtares?

Varet nga trajneri. Serxho ka bërë një karrierë të shkëlqyer me kombëtaren, por nuk e di kush do ta udhëheqë ekipin. Do ta vendosë Luis Enrike.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"