PIKANTET| Vllaznia-Partizani/ Festë me pica, shkodranët sfidojnë virusin. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2020 | 22:06

PIKANTET| Vllaznia-Partizani/ Festë me pica, shkodranët sfidojnë virusin. Ja çfarë nuk u pa në TV

Tifozët ultras të grupimit “Power 12”, kanë ndjekur dhe mbështetur ekipin e tyre nga jashtë stadiumit. Ato, të vendosur në një prej ambienteve pas hekurave të stadiumit kanë pasur mundësi që të shikojnë takimin. Një nga shprehjet e përdorura ka qenë: “Nuk na bën gjë Koronavirusi”.

vLLAZNIA TIFOZET

-Edhe tribuna VIP ka vuajtur problemet e Koronavirusit. Në vendet e lëna për ekipin mik ka qenë vetëm ish-futbollisti, tani drejtori i akademisë, Genc Tomori. Ndërsa drejtuesit e klubit kuqeblu kanë qenë si zakonisht të pranishëm edhe në këtë takim. Ndërsa drejtori sportiv, Olsi Rama, ka zgjedhur pankinën për ta shikuar më nga afër këtë sfidë.

vLLAZNIA

-Arsid Tafili, ish-futbollist i të dyja ekipeve, aktualisht lojtar i Lirisë së Prizrenit ka ndjekur nga tribuna e gazetarëve takimin mes Vllaznisë e Partizanit.

-Habia e formacionit të Vllaznisë ishte Kruja, që luajti nga e majta e mbrojtjes, një pozicion i ri për këtë lojtar.

-Administratori Lici nga tribuna VIP kërkoi më shumë nga rreshtimi në mbrojtjen e Vllaznisë në disa në momente të veçanta. -Nuk pushojnë asnjë moment dy trajnerët që kërkojnë të orientojnë lojtarët e tyre gjatë ndeshjes.

-Në minutën e 31-të të takimit, trajneri mik ka nxjerrë në nxemje tre nga lojtarët e stolit.

-Sjell entuziazëm edhe në stolin shkodran goli i shënuar nga pika e bardhë e 11-të metrave nga ana e Likës.

-Në minutën e 54-t nuk ka munguar edhe replika e dyshes së trajnerëve të Partizanit me gjyqtarin anësor pas një vendimi të dyzuar të këtij të fundit.

-Në të 75-ën minutë, pas dëmtimit të Boldor dhe Zhunior, pas një dyluftimi në ajër, nuk ka munguar “fair play” dhe shtrëngimi i duarve mes dy lojtarëve.

-Sormani kërkon që të tijtë të mos humbin asnjë sekondë kohë, por dy-tri rivënie të topit në vijën anësore për ekipin e tij janë bërë pjesë e ndalesës së topave dhe nisjes së shpejtë të aksioneve.

-Polemikë në minutën e 85-të mes dy zëvendëstrajnerëve të dy skuadrave. Pas një topi të dytë në fushë, ka qenë stafi mik që ka protestuar, por kjo ka gjetur edhe një reagim të dy zëvendëstrajnerëve të Vllaznisë.

-Pas takimit, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ideal Lekiqi, ka sqaruar mbi replikën me stolin mik. Sipas tij, gjithçka ishte momentale. “Pas një topi të dytë të hedhur në fushë u ngrit në këmbë stoli i Partizanit, unë reagova ndaj reagimit të tyre”, u shpreh Lekiqi.

-Në minutën e 95-të gjyqtari akordon goditje dënimi për Partizanin. Shtubina shtrihet pas murit mbrojtës për t’i bërë parapritë ndonjë gjuajtjeje tokazi. Me lëvizjen që arbitri i bëri murit, Shtubina doli zbuluar i shtrirë në fushë.

-Vllaznia thyen me një fitore ndaj Partizanit tersin e dritave. Me sa duket, kësaj here skuadra nuk e ka vuajtur presionin e tifozërisë, e cila pavarësisht se nuk ka mundur ta ndjekë nga shkallët e stadiumit këtë takim, ato e kanë parë përmes televizionit.

-Tifozët ultras presin jashtë te dalja e stadiumit mes brohoritjesh të gjithë lojtarët kuqeblu.

-Lojtarët nuk shkojnë për darkë në shtëpitë e tyre, por pas takimit kanë preferuar që të gjithë së bashku të darkojnë me një picë për të festuar fitoren ndaj të kuqve.

A.Uruçi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"