Pikantet Tirana-Vllaznia/ Gola botërorë, Xhixha u tregon ‘targën’ kuqebluve! Doktori bardheblu shfaqet me kostum dhe këpucë me taka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 22:45

Pikantet Tirana-Vllaznia/ Gola botërorë, Xhixha u tregon ‘targën’ kuqebluve! Doktori bardheblu shfaqet me kostum dhe këpucë me taka

Garë mes Patrikut të Tiranës dhe Riçarlisonit për golin më të bukur të muajit. E ka shënuar sulmuesi i Tiranës në Superkupën e Shqipërisë apo sulmuesi i Totenhemit në Botëror. Të dy janë brazilianë, por golat janë pak a shumë të ngjashëm me aromë botërori.

PATRIK

50 minuta para ndeshjes, shumë pak tifozë ishin në shkallët e stadiumit. Më së shumti ishin përkrahës të Tiranës. Në fund të ndeshjes u bënë rreth 4000 tifozë që ndoqën nga afër Superkupën e Shqipërisë.

Vllaznia është skuadra e parë që del në fushë për nxehmje, ndërsa më pas është ekipi i Tiranës.

Tribuna ishte e mbushur më shumë me gazetarë sesa tifozë të të dy skuadrave.

Koreografia e ceremonisë, ende punohej pak para se të niste takimi.

Denis Rexhës i çmontohet flamuri gjatë një aksioni. Gjyqtari ndal lojën. Pak më vonë, anësori ndërron flamurin.

Fishekzjarrë, tymuese në fushë në çdo moment nga tifozët e të dyja skuadrave. Nga ana tjetër, nuk ndalin ofendimet mes dy tifozërive.

Emanuela Rusta nuk lejon Arzen Vocin të kurojë kaviljen e Redon Xhixhës, pas një ndërhyrjeje të Gurishtës. Gjyqtarja e katërt e ka gjatë gjithë kohës me mjekët e Tiranës.

Pas një faulli të Najdovskit në dëm të Malës, por i padhënë nga kryesori, Mirel Josa e ka me gjyqtaren e katërt, Emanuela Rusta, të cilën e qorton për gjykimin.

Trajneri i Erzenit, Xhevahir Kapllani, ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur dy ekipet e Superiores.

Mjeku i Tiranës këtë herë u shfaq ndryshe në stadium. Ai ishte i veshur me kostum dhe këpucë me taka, ngjyrë jeshile.

Gota birre mbi lojtarët e Vllaznisë pas një faulli ndaj Redon Xhixhës te sektori ku qëndronin bardheblutë.

“Ultras Vllaznit” vijnë me vonesë në stadium, por priten me ovacione nga tifozët shkodranë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, lë tribunën e presidentëve para mbarimit të pjesës së parë të takimit.

Vetëm pak para se të niste ceremonia, ai bashkohet me dy presidentët Refik Halili dhe Alban Xhaferi.

Redon Xhixha i bërtet Partrikut që nuk i kthen pasin në një aksion që ishte me portë bosh. Braziliani provon vetë dhe më pas kërkon falje.

Për tre minuta ndalet ndeshja nga gjyqtari, pas tymuesve dhe zjarreve të ndezura te sektori i tifozëve të Vllaznisë. Në momentin e akordimit të penalltisë për Vllazninë, shi sendesh të forta në fushën e lojës në drejtim të arbitrit.

Pas shënimit të golit, Xhixha heq dhe u tregon fanellën tifozëve të Vllaznisë. Çdo send i mundshëm në fushë, por nuk ka rëndësi. Lojtari i sfidon të gjithë. Esad Mala i inatosur me zëvendësimin, mezi mbahet nga pankina sapo del nga fusha e lojës.

Në fund të ndeshjes tifozët e Vllaznisë, duan të hynë në fushë, por ata i bllokon policia. Duhet të negociohet që përkrahësit shkodranë të dalin jashtë me qetësi. Te Tirana momenti i ceremonisë, FSHF-së i mbarojnë medaljet.

Një pjesë e mirë e stafit nuk merr dot medaljet, pasi organizatori kishte planifikuar një sasi të caktuar.

Redon Xhixha është lojtari që bën të vetin trofeun. Ai e merr me vete Superkupën, ndërsa jashtë stadiumit janë dhjetëra tifozë dhe familjarë që duan të dalin foto me të.

Patrik merret peng nga “ultrasit” e Tiranës, të cilët e ftojnë në një festë të çmendur në dalje të stadiumit.

Stola në fushë pas festimit të Redon Xhixhës, por pak rëndësi ka. Një pjesë e stadiumit është në ekstazë, tjetra duke turfulluar nga inati.

Pak momente para se të shënohej goli, nga stafi u bë gati Nikqi për ndërrim, Tirana shënoi dhe Shehi ndërroi mendje, duke futur në fushë Lulajn për Xhixhën.

Në momentin e penalltisë, gjyqtari kërkon të ndëshkojë Najdovskin me karton të verdhë, por maqedonasi i përgjërohet se nuk e bëri ai faullin. Nëse ndëshkohej me të verdhë dilte me të kuq, pasi ishte ndëshkuar edhe më parë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"