PIKANTET TIRANA-TEUTA/ Doka tërbohet pas zëvendësimit, “Fanatics” ironi me “Guerrils”-at

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2018 | 22:48

PIKANTET TIRANA-TEUTA/ Doka tërbohet pas zëvendësimit, “Fanatics” ironi me “Guerrils”-at

-Lojtari i Tiranës, Edon Hasani, ka luajtur me gjilpëra. Para sfidës me durrsakët, lojtari është provuar në stërvitje, nëse ia dilte apo jo të përballonte fushën e lojës.

-Trajneri i Tiranës, Hoze Marselo Ferreira, këtë javë ka lënë në tribunë portierin e sapoardhur te bardheblutë, Shpëtim Moçkën. Javën e shkuar ai që preku tribunën ishte Sedat Berisha.

albi doka

-Një tifoz para fillimit të sfidës i është drejtuar Endri Vrapit me një batutë: “O Endro (Vrapi) hajde me ne se do na rrahin”. Në tribunën VIP ishin të pranishëm presidenti i Tiranës, Refik Halili dhe personalitete të tjera të sportit dhe politikës.

-Në minutën e 17-të, pas një ndaljeje të lojës, Shkëmbi thërret Krujën për t’i shpjeguar një ndryshim në modul. Nga ana tjetër, Ze Maria thërret Hoxhallarin dhe me anë të Egbosë i sqaron idetë e tij për lojën.

-Kakofoni zhurmash mes grupimeve të Tiranës. Në një anë ishin ACAB, ndërsa në krahun tjetër “Tirona Fanatics”. Këta të fundit e kishin me presidencën, ndërsa grupimi tjetër mbështeste ekipin. Ndërkohë, në një moment të ndeshjes, përkrahësit bardheblu kanë ironizuar ata të Partizanit, “Guerrils” me një pantonimë të shfaqur në shkallët e stadiumit, bazuar në ngjarjet e ndeshjes së javës së parë mes të kuqve dhe tifozëve të Skënderbeut.

-Në minutën e 35-të Ze Maria heq xhaketën e kostumit dhe jo vetëm prej vapës, por edhe sikletit për rezultatin, që nuk po zhbllokohej.

-Në minutën e 51-të, Doka humbet një pas për Blazhevskin edhe pse i ulërit dhe më pas nga dëshpërimi pothuajse shtrihet në pistën e “Selman Stërmasit”. Në minutën e 68-të, Ze Maria detyron një nga anëtarët e stafit të vrapojë 100 metra për të thirrur Kërçikun të jetë gati për të hyrë në fushën e lojës. Këshilla e fjalë për Kërçikun, të cilin më pas e shtyn për ta futur në fushën e lojës. Menjëherë pas zëvendësimit, Albi Doka pa i folur askujt futet në pankinë dhe më pas largohet në mënyrë demonstrative për në dhomat e zhveshjes. Kanë kaluar disa minuta dhe, ndoshta i penduar nga ky veprim, Doka është kthyer dhe është ulur në stol për të ndjekur sfidën, tepër i mërzitur, sigurisht, pasi do të donte të luante deri në fund…

Në minutën e 72-të, Tirana pretendon për një penallti për një prekje me dorë të Osmanit, por Meta vazhdon lojën. Pamjet i japin të drejtë gjyqtarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"