Pikantet / Tifozët kërkojnë zëvendësimin e Xhejmsit, Daja u kthehet: Vetëm atë nuk e heq!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2017 | 22:49

Pikantet / Tifozët kërkojnë zëvendësimin e Xhejmsit, Daja u kthehet: Vetëm atë nuk e heq!

-Diçka më shumë se 2 mijë tifozë e kanë ndjekur takimin e djeshëm mes Skënderbeut, ndërkohë që ata pak tifozë që kishin ardhur nga Laçi ishin vendosur në tribunën qendrore.

xhejms

-Tribuna e stadiumit “Skënderbeu” dje ka qenë e mbushur me VIP-a, teksa këtë herë, në krah të presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka qëndruar presidenti i skuadrës kosovare të Trepça ’89, që kishte ardhur për të ndjekur këtë takim. Nuk ka munguar edhe presidenti i Laçit, Pashk Laska, si dhe figurat më të larta të skuadrës korçare.

-Futbollisti nga Gambia, Ali Soue, ka dalë me vonesë në fushën e lojës përpara startit, madje kur të gjithë lojtarët ishin rreshtuar, ai ka vrapuar për t’u futur në radhë, çka ka rënë në sytë e të gjithëve. Ajo që solli çudi ishte reagimi i Lilajt, kur Soue po nxitonte me vrap për t’u vënë në resht, si lojtari i fundit, Lilaj ka bërë një veprim të lezetshëm, duke i hapur rrugën Souesë që të vendosej i parafundit dhe korçari të ishte lojtari i fundit. Kjo, një çështje shansi për lojtarin e mesfushës së Skënderbeut.

-Përpara se të fillonte pjesa e dytë janë dashur dy minuta deri sa gjyqtari të vërshëllente për startin. Osmani u ndërrua me Jashanicën, ndërkohë që në fushë akoma nuk kishte dalë kosovari. Gjyqtari Shahini vendosi ta fillonte, por nuk u lejua nga korçarët, të cilët i kanë bërë me shenjë që pa u hedhur në fushë Jashanica takimi nuk duhet të startonte.

-Dy lojtarë, të cilët shënuan dje nga një gol, kanë ardhur nga stoli. Lushkja e nisi ndeshjen nga stoli dhe u hodh në fushë në pjesën e dytë dhe, po në të njëjtin moment, edhe Jashanica si për koecidencë të dy arritën të shënonin.

-Në minutën e 81-të pati protesta të mëdha nga tifozët për vendimet e gjyqtarit kryesor, por edhe ofendime në kor drejtuar Sefgjinit, i cili nuk reshte së provokuari tifozët me gjeste, ndërkohë që Shahini ka ndaluar lojën dhe ka drejtuar Shehin për të qetësuar tifozët që kërkonin matanë kangjellave drejtësi.

-Trajneri Ilir Daja, jo pak herë gjatë pjesës së dytë, është thërritur nga tribuna për të ndërruar Xhejmsin, ndërkohë që në nerva e sipër kryepankina e Skënderbeut u është drejtuar tifozëve që vetëm Xhejmsin nuk e ndërronte dhe kjo gjë u bë realitet deri në vërshëllimën e fundit. Ndërkohë që edhe trajneri i Laçit, Mezani, e ka humbur toruan në momentin e humbjes së 11-metërshit nga skuadra e tij, duke u kthyer dhe replikuar me tifozët korçarë. Por, gjithçka u zgjidh shpejt.

-Në momentin kur u akordua penalltia për Laçin, i gjithë stoli bardhekuq ka shkuar te kamera që ndodhet në pistë dhe pasi e ka parë dhe riparë rastin është bindur akoma më shumë se vendimi ka qenë i gabuar. Një gjë të tillë ia kanë bërë me dije edhe delegatit dhe vëzhguesit që vendimi ka qenë jo korrekt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"