PIKANTET| Teuta-Laçi/ Starova dhe Duro përqafohen pas 6 vitesh, Martini e “djeg” në tunel. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2021 | 19:10

PIKANTET| Teuta-Laçi/ Starova dhe Duro përqafohen pas 6 vitesh, Martini e “djeg” në tunel. Ja çfarë nuk u pa në TV

“Panorama Sport” ju sjell më poshtë disa nga pikantet dhe të veçantat e ndeshjes Teuta-Laçi, e zhvilluar të shtunën në Durrës.

Dejvi Bregu logo

* Klubi i Laçit kërkoi të luante me fanellën karakteristike (bardhezi), ku ngjyra e zezë është disi më e theksuar. Mirëpo, delegati dhe arbitri kryesor nuk pranuan, duke u bërë të ditur përfaqësuesve kurbinas se edhe fanella me ngjyrë bardhezi nuk është e përshtatshme. Kësisoj, Laçi përdori fanellën e dytë, ku ngjyra e bardhë është më e theksuar.

* Para se skuadrat të dilnin në nxehje, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, është parë të bëjë shëtitje rreth e rrotull fushës. Në një moment ai është takuar me drejtorin e Teutës, Sulejman Starova, duke konsumuar një bisedë që bëri kuriozë të pranishmit.

Duro dhe Starova logo

Takimi i Sulejmanit dhe Shpëtimit para ndeshjes në Durrës (FOTOT: F. HAZISLLARI)

Në fakt, “Bobi” dhe Duro kanë pasur një polemikë të ashpër pak vite më parë në “Panorama Sport”, madje duke prishur miqësinë. Mirëpo, gjërat tashmë janë rikthyer si më mirë dhe dy trajnerët e njohur kanë mbetur miq.

* Vizitori special për të ndjekur ndeshjen në tribunën VIP të stadiumit “Niko Dovana” ishte presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit qëndroi në mes të dy presidentëve, Pashk Laskës së Laçit dhe Edmond Hasanbelliu i Teutës, i cili ishte i shoqëruar me drejtuesin tjetër të klubit, Ardian Bardhi.

Duka Laska Hasanbelliu logo

* Në krah të presidentit të Laçit, Pashk Laska, u pa ishsulmuesi kampion i Partizanit në vitin 1993, Edmond Dosti, i cili ka luajtur edhe me fanellën e kurbinasve.

* Numri i të pranishmëve në tribunën qendrore të stadiumit “Niko Dovana” ishte më i lartë në krahasim me takimet e tjera. Madje disa prej tifozëve ishin aq të zhurmshëm, saqë u fiksuan me emrin e gjyqtarit kryesor, Eldorian Hamiti, duke kontestuar vendimet e tij.

* Martini nuk ishte i qetë në pankinë, ndonëse skuadra e tij po dominonte në lojë. “Bëje veprimin e prerë Aleks. Bravo Arapi, bravo ajo është”, ishin disa nga fjalët që dëgjoheshin nga trajneri.

*Në fundin e pjesës së parë, Aleksi e tepron dhe tenton një gjuajtje nga një distancë e largët. Martini i tërheq vëmendjen, ndërsa mesfushori kthehet nga stoli dhe me dorën lart kërkon ndjesë Shpëtim Duro, nga ana tjetër, e ka me mesfushorin Shehu: “O Julian, po t’i merr gjithë topat kundërshtari”.

Shpetim Duro logo

* Pas një ndërhyrjeje në fundore, Mazrekaj kapet me arbitrin e katërt: “Pse nuk e jep faull apo vetëm kur të doni ju”?

* Obanor ndërhyn ndaj Krasniqit, menjëherë tranjeri Martini i drejtohet gjyqtarit Hamiti: “Jepi more të verdhë se ishte goditje me këmbë në shpinë”.

*Të dy trajnerët patën pretendime për mënyrën e menaxhimit të faulleve nga kryesori Hamiti dhe shpesh protestonin për vendimet e tij.

* Dejvi Bregu festoi golin duke hequr fanellën dhe treguar më pas nga kamera që po transmetonte ndeshje “live” në “SuperSport”. Në këtë moment, mesfushori Aleksi, i ndodhur pas Bregut, rrëzohet në pjesën me beton afër tunelit. Ka panik për momentin, por gjithçka kalon aty dhe menjëherë Aleksi ngrihet dhe feston sikur të mos kishte ndodhur gjë.

* “Bravo kampionia! Bravo kampionia!”. Këto janë britmat e trajnerit të Teutës, Edi Martini, në festën e çmendur në dhomat e zhveshjes pas fitores me Laçin. Bashkë me drejtorin Sulejman Starova dhe pjesën tjetër të stafit, lojtarët kanë qenë në delir duke festuar triumfin ndaj Laçit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"