PIKANTET| Tension dhe lot, ja çfarë nuk u pa në sfidën Teuta-Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2021 | 20:47

PIKANTET| Tension dhe lot, ja çfarë nuk u pa në sfidën Teuta-Skënderbeu

Nerva, tension, ofendime, lot, festë dhe në fund panik. Në “Niko Dovana” kishte nga të gjitha në ndeshjen e djeshme. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e takimit të fituar nga Skënderbeu.

pjimage (4)

* Pas penalltisë së dhënë që në sekondën e 20-të të lojës, në kampin durrsak u shokuan të gjithë. Në këtë moment protestoi më tepër nga lojtarët Albano Aleksi, por Jorgji nuk e fali, duke i nxjerrë direkt të verdhin fierakut, ashtu si edhe Hoxhës që shkaktoi 11- metërshin.

* Lojtarët e Teutës tentuan të rinisnin menjëherë lojën në momentin që po festonin korçarët golin e parë. Mirëpo, Jorgji i ndali durrsakët pasi vendosën topin në qendër. Këtu protestoi jo pak kapiteni Arapi.

* Në minutën e 12-të ka tension në fushë pas një ndërhyrjeje të gabuar të Berishës në dëm të Arapit. Të dy lojtarët më pas shtyhen me njëri-tjetrin, ndërsa arbitri ndëshkon Berishën me të verdhë.

* Në minutën e 44-t Berisha heq fanellën nga gëzimi, por harron që kishte karton të verdhë. Sulmuesi, nga festa për golin, në fraksion sekondash kalon në dëshpërim dhe del duke lotuar pas kartonit të kuq. Në këtë moment, trajneri Memelli mundohet ta qetësojë duke e përqafuar dhe dhënë kurajë.

* Në minutën e 59-të mbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, del i pakënaqur nga fusha, teksa zëvendësohet dhe thotë nga larg: “Pse unë?”

* Shqiprim Taipi bëhet gati të dalë nga fusha në minutën e 74-t, për t’u zëvendësuar me Zhan Viktor, por ndërrimi ndryshon në momentin që sapo mesfushori afrohet. Nga loja del Vangjeli i dëmtuar dhe jo Taipi.

* Duke parë shtrëngimin e masave anti-COVID nga Komiteti i Ekspertëve, diçka e tillë u vu re edhe në stadium. Para hyrjes, iu mat temperatura të gjithë të pranishmëve, madje u shënohej edhe emri.

* Presidentët e Teutës, Edmond Hasnbelliu dhe Ardian Bardhi, e ndoqën ndeshjen së bashku në tribunën VIP. Ndërkohë, munguan drejtuesit e Skënderbeut, teksa Ardjan Takaj nuk u pa në stadium.

* Fusha e stadiumit “Niko Dovana” ishte në gjendje perfekte, teksa ditët e fundit bari ishte nënshtruar procesit të korrjes. * Trajneri Edi Martini ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës, duke këshilluar lojtarët e tij. “Afrohu, Niqe!”, “Aty, Krasniq!”, “Tërhiqu, Emiljano!”, “Lorenco, aty ndalo!”, kanë qenë disa nga udhëzimet e kryepankinës durrsake. Nga ana tjetër, trajneri Memelli shihet më i qetë, por në një moment e humb durimin me Marën dhe Meksin. Ai u kërkon dy titullarëve të luftojnë më shumë për topin e parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"