Pikantet Skënderbeu-Lushnja/ Fiken dritat, Takaj premton shpërblim me Partizanin e Beogradit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 21:31

Pikantet Skënderbeu-Lushnja/ Fiken dritat, Takaj premton shpërblim me Partizanin e Beogradit

* Takimi i djeshëm në Korçë mes Skënderbeut dhe Lushnjës nuk u ndoq më shumë se 1.500 tifozë, të cilët mungonin edhe për shkak të emrit modest të kundërshtarit që kishte përballë Skënderbeu.

Skenderbeu

* Tribuna qendrore ishte e mbushur si zakonisht me personalitete, ku nuk mungonte presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, dhe në krah të tij ishte zv/presidenti Arlind Boshku, menaxheri i përgjithshëm Gerhard Takaj, drejtori sportiv, Haris Fakiç, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, Prefekti, Pandi Papando dhe shumë personalitete të tjera, mes tyre edhe disa që kishin ardhur enkas nga Lushnja.

* Tribuna qendrore dje ishte e mbushur edhe me disa futbollistë korçarë që nuk luanin, si Tefik Osmani, Enis Gavazaj, Suad Sahiti, por edhe Bakari Nimaga e ndonjë tjetër.

* E veçanta e djeshme ishin tifozët miq. Rreth 30 tifozë nga Lushnja kishin udhëtuar enkas për të ndjekur këtë takim dhe, përveçse u vendosën në tribunën E, kishin shpalosur disa banderola, mes tyre më e madhja “Delegatët”. Ata nuk kanë reshtur së mbështeturi ekipin e tyre edhe kur rezultati shkoi në 4-1 për Skënderbeun.

* Për sa u përket “Ujqërve të Dëborës”, mbërritën në stadium vetëm 10 minuta përpara fillimit të takimit, ndërkohë që kanë shpalosur banderolat e tyre të zakonshme, por nuk mungonin edhe disa të reja.

* Vetëm një ish i Skënderbeut dje u kthye sërish në stadiumin juglindor, por me fanellën e Lushnjës. Ai ishte Fatjon Sefa, që kur shënoi golin e vetëm të miqve nuk festoi, ndërkohë që gjithë stadiumi është ngritur në këmbë dhe e ka duartrokitur, njësoj sikur të kishte shënuar Skënderbeu.

* Orlando Kuka ka gjykuar dje për herë të parë në stadiumin “Skënderbeu” dhe relativisht për të ishte një ndeshje e lehtë, pavarësisht se pati 2-3 raste për moviolë.

* Në pushimin midis dy pjesëve kanë ikur dritat në stadiumin “Skënderbeu”, por fatmirësisht kjo ndërprerje nuk ka zgjatur më shumë se dy minuta, pasi u ndez menjëherë gjeneratori dhe pjesa e dytë është luajtur nën dritat e projektorëve.

* Lushnja fitoren e fundit në Korçë e kishte përpara 32 vitesh dhe ky rekord negativ ka vijuar edhe dje, pasi sërish humbi, madje me shifrat e thella 4-1. Për Skënderbeun, kjo ishte fitorja e parë me katër gola në këtë ligë superiore.

* Presidenti Ardjan Takaj, pas përfundimit të ndeshjes, është futur në dhomat e zhveshjes të futbollistëve, jo për të ndarë fitoren me ta, por për t’u kërkuar që gjatë këtyre ditëve të mos flasin me nota provokative për ndeshjen ndaj Partizanit të Beogradit, pasi në shumë raste ato keqinterpretohen edhe nëpër media.

* Sapo Takaj dje është futur në dhomat e zhveshjes, ka qenë Osmani që ka lëshuar batutën: “Erdhi ‘bosi’ të na japë premion që fituam”, ndërkohë që Takaj ua ka kthyer: “Premion e keni me Partizanin, fitojeni”.

* Pas ndeshjes, kanë qenë 7 lojtarë të Skënderbeut që kanë vijuar stërvitjen normale në stadium nën drejtimin e Ard Memës dhe Gentjan Liçit. Midis tyre kanë qenë Mici, Lilaj, por edhe disa lojtarë të tjerë që qëndruan në stol.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"