Pikantet/ Policët “gol” Shehit, Nurembergu ndjek Micin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2017 | 23:08

Pikantet/ Policët “gol” Shehit, Nurembergu ndjek Micin

P uthje, përqafime, “selfie” dhe lot gëzi mi. Festa e Skënderbeut është legjitime. Ata janë heronjtë dhe mbrëmjen e 24 gushtit nuk do ta harrojnë lehtë. Vërshëllima e arbitrit hungarez ka treguar një tjetër anë të atyre që shpeshherë i shohim luftarakë dhe seriozë në fushë.

Shehi

Vangjeli që, për pak, sa nuk bie nga reklamat, ndërsa bën foto dhe puth pambarimisht kamerën, Ilir Daja që vrapon drejt hekurave për të takuar Glenin, djalin i tij, dhe xhiroja e lamtumirës përreth stadiumit e Latifit.

Mbështetje maksimale, masa ekstreme dhe nervozizëm në fushë dhe tribuna. Me kapitenin Shehi që, përveçse është idhulli i tifozërisë korçare, bëhet edhe i policëve në fund të ndeshjes. Të gjitha këto ishin ato që (nuk) u panë në TV.

Daja

– Masat e marra për këtë ndeshje nga ana e policisë kanë qenë më të mëdha në krahasim me sfidën me Mladën. Madje, nuk munguan as efektivë me aparat fotografikë në duar, për të dokumentuar ndonjë individ që mund të sillte probleme në stadium.

– Skënderbeu vijoi edhe në këtë sfidë që të mos e prishte traditën e të mos bërit foto para ndeshjes. Ky ritual i ka sjellë gjithnjë fat në Europë. I solli edhe mbrëmjen e djeshme.

– Përpara startimit të ndeshjes, lojtarët nuk harrojnë të kërkojnë edhe ndihmën e Zotit. Radas bën kryqin, ndërsa lojtarë të tjerë të Skënderbeut bëjnë ritualin e myslimanëve.

– Latifi është i preferuari i tifozëve, të cilët mbajnë veshur fanellën e tij. Sidomos femrat! – Në një moment, tifozët korçarë nuk ngurrojnë të shajnë në kor mbrojtësin e Dinamos së Zagrebit, Amir Rrahmani.

Shehi

– Kapiteni Orges Shehi bëhet idhull. Nuk mungoi edhe një baner për të ku shkruhej: “Orges Shehi, ujku i pamposhtur”. I tillë mbeti edhe në këtë sfidë.

– Në një stadium të mbushur nuk mund të mungonte “ole”-ja e famshme nga të pranishmit.

– Për të dhënë mbështetjen e tyre për skuadrën korçare menduan edhe banorët e pallateve pranë stadiumit, të cilët e ndoqën sfidën nga ballkonet e tyre.

– Të dy teknikët Daja dhe Cvitanoviç kanë qenë shumë të tensionuar gjatë ndeshjes dhe kanë qëndruar në këmbë gjatë gjithë sfidës.

– Në një moment gjatë ndeshjes, lojtari mik, Doumbia, i është kthyer tifozërisë pas kontestimit që patën ndaj tij.

– Portieri mik tregoi irritimin e tij gjatë një momenti të rivënies fundore, teksa shkelmoi fuqimisht topin në drejtim të tifozërisë.

– Pas të verdhës së dytë dhe daljes jashtë me të kuq, Bakari Nimag, del nga fusha i përlotur dhe mbulon kokën me fanellën e tij.

– Kur skuadra korçare mbeti me një lojtar më pak, futbollistët në fushë kërkonin mbështetjen e tifozërisë, Tefik Osmani më shumë nga të gjithë.

– Kapiteni Shehi nuk është vetëm idhulli i tifozërisë korçare, por edhe i policëve. Në përfundim të ndeshjes ata i kanë kërkuar që të bëjnë foto me të, për ta pasur si një kujtim.

– Formacionet publikohen me vonesë edhe nga UEFA, konkretisht në 19:35. Motivi, i paqartë.

– Sebino Plaku sërish në stol, por nuk merr minuta. Evitohen “zhurma”, por polemikat dëshmojnë krisjen.

– UEFA “harron” që “Rruzhdi Bizhuta” nuk ekziston më dhe prej 3 vitesh është ndërtuar “Elbasan Arena”. Në faqen zyrtare, ata kishin hedhur një foto të impiantit të vjetër.

– Presidenti i FSHF-së nuk mungon në stadium. Ashtu si ndaj Mladës, ai ka qenë në krahë të Ardjan Takaj, për të mbështetur Skënderbeun.

– Çoriç, as në stol. Përplasja me trajnerin, e ka nxjerrë jashtë liste “yllin” e kroatëve.

– E 13-ta minutë dhe në “Elbasan Arena” dëgjohen thirrjet në kor të tifozëve “Ballist Morina”. Kujtojmë që fatin e tij e ka në dorë pikërisht Gjykata kroate, ndërsa ekziston mundësia që të ekstradohet në Serbi.

– Minuta e 24-ta, ka përplasje mes Rrahmanit dhe Gavazajt. Edhe pse të dy kosovarë, kur vjen puna të luftohet për grupet, asnjëri nuk kursen kënd, madje përdoren edhe bërrylat.

– E 28-ta minutë shoqërohet me tension në fushë, pasi Sudani bën faull ndaj Shehit. Futbollisti i Dinamos rrethohet nga lojtarët e Skënderbeut që kërkojnë karton të verdhë, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë vetëm me një faull.

– E 73-ta minutë dhe Sudani tregon sërish gjaknxehtësi, pas një dueli me Micin. Acarohet, madje mendon vetë trajneri Cvitanovic që ta qetësojë.

– Vokalisti i Elita 5 në stadium. Arif Ziberi ka preferuar që të ndjekë Skënderbeun dhe jo Shkëndijën, që mbrëmë gjithashtu luante me Milanin.

Soue

– Soue ndez tifozët, pasi fiton një këndore. Kërkon mbështetje në minutat e fundit, që e ndajnë ekipin nga përsëritja e historisë. Pak sekonda më vonë, të njëjtën gjë bën edhe trajneri.

– Nuk mungojnë as ultrasit e Dinamos së Zagrebit në Elbasan. Ata e kanë mbështetur ekipin e tyre, por në fund kanë protestuar ashpër. Ky eliminim është fatal edhe për ata.

– Në fund ka vetëm festë, në fushë, në dhomat e zhveshjes, jashtë stadiumit. Si për sa u përket lojtarëve dhe stafit, ashtu edhe tifozëve, jo vetëm atyre nga Korça, por edhe nga Elbasani dhe gjithë Shqipëria që kishin mbërritur për t’i përkrahur.

– Mediat kroate “sulmojnë” Dinamon. Dikush e quan “katastrofë”, një tjetër “dramë”, por ajo që djeg më shumë është fakti që, për të parën herë pas 11 vitesh, mbeten jashtë grupeve.

Mici

– Shumë “skaut” në tribuna. Gazeta mëson se dje është vëzhguar edhe Gledi Mici nga gjermanët e Nurembergut (Bundesliga 2). Paraqitja e mbrojtësit i ka lënë pa fjalë dhe tashmë nuk mbetet gjë tjetër që të vijë oferta zyrtare në klub.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"