PIKANTET/ “Po e çoni lojën atje ku doni, ky është turp!”, Jorgji kërcënon Gegën: Qetësohu ose të nxjerr jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2020 | 20:14

PIKANTET/ “Po e çoni lojën atje ku doni, ky është turp!”, Jorgji kërcënon Gegën: Qetësohu ose të nxjerr jashtë

Ndeshje e qetë në stadiumin e boshatisur ajo e Korçës, mes Tiranës dhe Kukësit. Mungesa e tifozëve, por edhe dyfishimi i rezultatit shumë shpejt nga ana e bardhebluve bënë që takimi nga njëra anë të ishte më i qetë. Gjithsesi, gjithçka ka nisur përmes një ceremonie të thjeshtë nga ana e organizatorëve për të startuar kështu kampionatin kombëtar numër 82 të futbollit. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet.

JORGJI GEGA

Në tribunën qendrore të stadiumit “Skënderbeu” gjithçka ishte me listë zyrtare, ndërsa të dyja delegacionet qëndruan të ndara në tribunë. Mungonte presidenti Gjici në Korçë, por Kukësi shoqërohej nga i përhershmi Nderim Nexhipi. Në anën tjetër, Halili, presidenti kampion në fuqi, ishte në ballë të vendit. Disavantazhi i shpejtë dhe loja aspak e mirë e të tijve e vunë Gegën në siklet duke e nxjerrë paksa nga vetja. Kryepankina kuksiane kapet fillimisht me të tijtë pas çdo goli të shënuar nga Tirana duke ironizuar me ndihmësin e tij. “Korne, e sheh se sa bukur rreshtohen”, ishte ironia e Gegës pas golit të parë. Minuta më pas, acarimi bëhet më i madh dhe gjithçka u shfryhet lojtarëve. “Xhika, po flisni o vlla ça rrini ashtu në korne. A jeni në terezi, a luani me mend a jo?”, ndërsa vazhdoi sërish: “Me kornet e paskemi keq sot”.

Debatet do të arrinin kulmin ndaj arbitrave si rrallëherë për Gegën. Fillimisht acarohet me anësorin për një faull të munguar në dëm të mesfushorit të tij. “Ej, po ça sheh ti? A e shikon lojën se i hipi në kurriz? Po e ke para syve mo…”. Ndërhyrja e arbitrit të katërt ndërlikon më shumë situatën, teksa i kërkon të ulet e të qetësohet. “Po jeni në terezi me këtë qëndrim ju? Po e çoni lojën atje ku doni. Si ka mundësi ta ketë një metër larg syve dhe mos e shohë faullin e pastër! Ky është turp”, ishin fjalët e Gegës. Protestat vazhdojnë për shumë minuta derisa sjellin acarimin e Jorgjit që ndërpret lojën dhe i afrohet trajnerit të Kukësit te pankina. “Unë gjithmonë ju flas me ‘ju’, prandaj mos bëj gabim më të më drejtohesh me ‘o’ mua. Është situatë që nuk e toleroj dhe, ose do të qetësohesh, ose do dalësh jashtë”, kërcënoi Jorgji.

Ndeshja mes Tiranës dhe Kukësit nis me një risi për bardheblutë, pasi Bekaj, Najdovski, Danso, Giamfi, Sasraku e Toli luanin për herë të parë në Kategorinë Superiore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"