Pikantet Partizani-Teuta/ Një “grusht” me tifozë, Pano Qirko godet… VIP-at
“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes Partizani-Teuta, e përfunduar me fitoren 0-2 të miqve.
*Prani shumë e ulët tifozësh për të parë këtë ndeshje në stadium. Për nga numri i të pranishmëve, dukej më shumë si një ndeshje moshash. Në stadiumin “Partizani” ishin rreth 700 të pranishëm, teksa në tribunën përballë tifozëve durrsakë nuk kishte asnjë tifoz.
* ”Dee-Jay” kishte vendosur të pozicionohej anës së fushës, por shiu i prish planet dhe iu duhet të mbulojë pajisjet e tij me mushama.
*Reklama e Superiores, e vendosur ne mesin e fushës vonon nisjen e ndeshjes. Punëtorët nxitojnë ta heqin, me lojtarët që presin për rreth një minutë.
* ”Aty rri Lenco, mos u kthe”, i drejtohet Martini Vilës, duke kërkuar që skuadra e tij të luajë në sulm që në minutat e para.
* Në një moment janë dy topa në fushë dhe atë që nuk është aktiv, Qirko e shqelmon fort dhe e përplas në tribunën VIP, fatmirësisht pa dëme fizike.
*Albion Marku shënon ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij. Qëllon të ndëshkojë ish-skuadrën dhe nuk feston për respekt të të kuqve, ku kaloi gjithë sezonin e shkuar.
*Jurgen Goxha bën liderin në stolin e durrsakëve. Para nisjes së pjesës së dytë motivon Kallakun dhe Kuron.
*Fabian Shahaj debuton me fanellën e kuqe. Ai aktivizohet në minutën e 66-të në vend të Carës. Gjithsesi, nuk u pa në asnjë episod.
*Goditja e parë e këndit në favor të Partizanit shënohet vetën në minuten e 68-të, çka tregon forcën e dobët goditëse të “demave”.
*Albion Marku pëson një goditje dhe lë fushën për disa momente. “Hajde Marku, në fushë. Hajde gjigant, nuk dorëzohesh ti”, dëgjohet të thotë Martini, duke i dhënë forcë lojtarit të tij. *Marku bëhet gati të dalë, sepse ka kërkuar zëvendësim, por kur nuk sheh numrin e tij në tabelën elektronikë çuditet dhe duket konfuz.
*”Ultras Guerrils” nuk duken aspak të kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Ata e heqin banerin që minutën e 74-t. Një pjesë e tifozëve largohen pa mbaruar ndeshjen, teksa të mbeturit mes ultrasve duartrokasin skuadrën.
*Tifozët janë shumë të inatosur pas ndeshjes. Një prej tyre shemb logon e Superiores, të vendosur anës fushës. *Kallaku inkurajon Hadrojn pas ndeshjes. Mbrojtësi pukjan duket mjaft i zhgënjyer.
PANORAMASPORT.AL
