Pikantet/ “Panterat janë të pathyeshme”, Gjoka ka frikë se do e lërë zemra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2017 | 21:20

Pikantet/ “Panterat janë të pathyeshme”, Gjoka ka frikë se do e lërë zemra

Ndeshjen e djeshme mes Vllaznisë dhe Luftëtarit e kanë ndjekur një numër shumë i vogël tifozësh, që nuk i kalonte as 150 veta. Me sa duket, edhe fitorja ndaj Lushnjës nuk i ka bindur ata për forcën e skuadrës.

Vllaznia

-Një shi i rrëmbyer ka nisur në qytetin e Shkodrës pak minuta pas fillimit të takimit dhe ka vazhduar përgjatë gjithë pjesës së parë dhe në momente të veçanta të së dytës. Reshjet kanë rënduar jo pak tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”, edhe pse është i saposhtruar.

-Si për ironi të situatës së vështirë që po kalon Vllaznia dhe mungesës së tifozëve, në pushimin midis dy pjesëve në stadium nuk kanë munguar këngët që u kushtohen kuqebluve kampion.

-Për shkak të motit me reshje, gjyqtarët kanë kërkuar që në pjesën e dytë të ndizeshin projektorët, ndërsa ata vetë kanë dalë me një kostum të ri arbitrimi në ngjyrë të gjelbër.

-Në minutën e 85-të të takimit ka pasur një përplasje mes lojtarëve, por gjithçka është shuar shpejt. Një minutë më pas Lika zëvendësohet nga trajneri Gjoka. Kaq ka mjaftuar që ata tifozë të pranishëm të thërresin në kor emrin e mesfushorit që u dha fitoren.

vllaznia luftetari

-“Panterat e Vllaznisë janë të pathyeshme, au, au, au”, kjo ka qenë motoja që ka bërë një prej punonjësve të skuadrës në përfundim të takimit të djeshëm dhe zërit të tij i janë bashkuar të gjithë futbollistët dje dhe trajneri Gjoka. Kjo ishte mënyra e festimit në dhomat e zhveshjes së skuadrës shkodrane ndaj Luftëtarit, një kundërshtar direkt në garën për mbijetesë.

-Në momentin kur trajneri Gjoka po bëhej gati të dilte në konferencën për shtyp, është përgëzuar nga gazetarët e pranishëm për fitoren. “Urime, urime, por kështu do të na lërë zemra ndonjë ditë”, ishin fjalët e trajnerit.

-Vllaznisë i janë dashur pesë vite për të mundur ekipin e Luftëtarit. Në dy sezonet e fundit, 4 takime ishin mbyllur në barazim dhe një ishte fituar nga ana e ekipit gjirokastrit. Ndërsa dje janë barazuar edhe shifrat e fitoreve për këto dy sezone.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"