Pikantet / “O ba, o ba, është babi im ky”, djali i Shametit krenohet me të atin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2017 | 13:39

Pikantet / “O ba, o ba, është babi im ky”, djali i Shametit krenohet me të atin

Festë, titull, spektakël në shkallë dhe batuta pikante. Luftëtari dhe Kukësi mbyllën një sezon perfekt, duke e kthyer ditën e djeshme në një festë për të gjitha. Ja çfarë ndodhi dje në stadiumin e Gjirokastrës që nuk u pa as në TV:

-Një orë para se të niste takimi, një grup tifozësh kuksianë, rreth 50, me daulle hynë në stadium të pozicionuar në tribunën e majtë anësore.

luftetari kukesi

-Reshjet e shiut nuk e kanë penguar tifozërinë gjirokastrite për të ndjekur nga afër takimin e djeshëm. Edhe pse hyrja ishte e lirë, një pjesë e tifozërisë gjirokastrite ka preferuar ta ndjekë ndeshjen nga lokalet ngjitur me godinën e universitetit.

-I pranishëm në tribunën VIP ishte i gjithë stafi i Kukësit i kryesuar nga presidenti Safet Gjici. Ndërsa presidenti i FSHF-së, Duka, nuk ka hezituar të përqafohet me legjendat e futbollit gjirokastritë, Sefedin Braho, Thedhori Kalluci etj.

-I pranishëm në tribunë ishte edhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo.

-Më shumë se asnjëherë tjetër, të pranishme në shkallët e stadiumit ishin shumë tifoze femra. Nuk mungonin bashkëshortet e shumë futbollistëve, mes të cilave edhe ato të Ernest Gjokës dhe Fation Tafajt.

-Në momentin e shënimit të golit, vlonjati Bregu ka hequr fanellën, teksa u është drejtuar tifozëve me thënien se goli është dedikim për dajën. Në bluzën e bardhë nuk mungonte fotoja dyshe e lojtarit me dajën e tij. Një moment që është shoqëruar me duartrokitje dhe ovacione për talentin 21-vjeçar.

-Në minutën e 16-të, Milinkoviç ulet në pankinë duke e ndjekur takimin jo më në këmbë.

-Në minutën e 18-të, Abazaj ndërron takat që ia ofron Donald Rrapo. Në të 44-ën, Beqiri përfiton nga ndërprerja e ndeshjes dhe afrohet te mjeku për të marrë ndihmën e çastit pas dëmtimit të këmbës së djathtë.

-Në pushimin mes dy pjesëve, e gjithë tribuna VIP boshatiset, pasi pjesëmarrësit kanë konsumuar kafen e çastit.

-Dvornekoviç nuk harron të bëjë kryqin sapo ekipet zbritën në fushë pjesën e dytë.

-Disa herë nuk mungonin ovacionet për kapitenin Ylli Shameti nga tifozët gjirokastritë. Rohani, i biri i tij, disa herë thërriste: “O ba, o ba, është babi im ky!”.

-Kur skuadra durrsake shënoi në Laç, një tifoz gjirokastrit u drejtohet lojtarëve të Luftëtarit, “Luani ore, se Teuta ka bërë gol”.

-Kur Laçi kaloi në avantazh, një pjesë e tifozëve gjirokastritë u ngritën në këmbë me thirrjet “Laçi, Laçi”…

-Ruçi, disa herë shpëtimtar i portës së Luftëtarit, ka marrë përgëzimet e kolegëve të tij, Miraka dhe Lamçe, të cilët e ndoqën takimin nga tribuna.

-Dy gjirokastritët e Kukësit, Shameti dhe Rrumbullaku, janë duartrokitur nga tifozët më shumë se lojtarët e tjerë kuksianë. Në fund të takimit, trajneri Gjoka shfaqet i mërzitur, gjë që u pa qartë duke gjuajtur disa herë me këmbë tokën.

-Ngritjen e trofeut nga kapiteni Hallaçi e ka dhënë presidenti Armand Duka. Të gjithë kanë ndarë fotot e çastit. Shameti e ka ndarë gëzimin e trofeut edhe me prindërit e tij, të cilët kanë zbritur në fushë me nipin dhe bashkëshorten e gjirokastritit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe trajneri Gjoka teksa ka festuar me bashkëshorten dhe vajzën, ashtu si zëvendësi i tij, Tafaj me Silvin. Në ceremoninë e rastit, i gjithë stafi i Kukësit, nga punëtori i fushës dhe deri te rezervat, kanë festuar për më shumë se 30 minuta së bashku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"