Pikantet / Nga stoli në tribunë, kryebashkiakja Ademi e përjeton sfidën mes ankthit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2017 | 19:57

Pikantet / Nga stoli në tribunë, kryebashkiakja Ademi e përjeton sfidën mes ankthit

Afro 6 mijë tifozë, kryebashkiakja që zbret në fushë dhe më pas lutet gjatë gjithë kohës për një fitore, ultrasi i aksidentuar në tribunën VIP dhe Edi Martini që shkelmon topin dhe bën sportdashësit të thërrasin: “Maradona”. Këto, por jo vetëm janë disa nga pikantet e ndeshjes Vllaznia-Teuta, që “Panorama Sport” sjell për lexuesin.

vllaznia teuta

Topi i parë

Edi Martini ka shkelmuar topin e parë nga qendra për këtë sezon në stadiumin “Loro Boriçi”. Ish-lojtari dhe ish-trajneri i Vllaznisë, që ka drejtuar edhe Teutën pak kohë, ka dalë në fushë bashkë me të birin, duke marrë duartrokitjet e tifozëve të pranishëm. Dikur publiku shkodran e thërriste: “Maradona”, nisur edhe nga ngjashmëria për fizikun, goditjen dhe talentin që kishte Martini.

Ish-numri 10 i Vllaznisë, tashmë me shumë kile më tepër, ka ndier jo pak emocione. Fanellën ia dorëzoi mesfushorit shkodran, Edon Hasani, të rikthyer pas disa vitesh te Vllaznia. “Emocione pa fund, sado që u bë kohë e gjatë larg fushës. Veç zemra ime e di sa më mungon ajo fushë e sa më mungojnë duartrokitjet tuaja, o tifozët më të mirë në botë”, deklaroi i emocionuar Martini pas shkelmoi topin në prag të Vllaznia-Teuta.

Kryebashkiakja

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, zgjodhi tribunën e gazetarëve për të ndjekur takimin me Vllaznisë e Teutës. Siç dhe kishte premtuar, ajo ishte e pranishme edhe në këtë takim, pasi më parë kishte ndjekur Vllazninë në transfertën e Fierit, ku fitoi 0-2 kundër Lushnjës. Para se të niste takimi, Ademi zbriti në fushë, duke u ulur madje në pankinën kuqeblu. Ajo bisedoi pak minuta me trajnerin Cungu, ndërsa më pas ka përjetuar me ankth në çdo aksion.

ademi cungu zeka gjyrezi

Një pjesë të mirë të pjesës së dytë, kryebashkiakja e ka ndjekur në këmbë. Ndërsa në fund të takimit, ajo ka qenë shumë e mërzitur, teksa ka qëndruar për shumë minuta me administratorin e klubit, Astrit Gjyrezi. “Pavarësisht rezultatit, Vllaznia ka nevojë për mbështetje. Një gjë të tillë po mundohemi ta bëjmë”, ka thënë shkurtimisht Ademi.

Interesimi

Takimi i parë i këtij sezoni në “Loro Boriçi” ka patur interesim të madh nga ana e tifozërisë shkodrane. Tribuna përballë ka patur edhe dyndjen më të madhe të tifozëve, teksa në total numri i tyre i ka kaluar 5 mijë. Ndërsa kanë munguar në këtë përballje tifozët durrsakë, teksa vetëm tre ultras në sektorin mik, nuk mund të llogariten. Humbja e hidhur në këtë prani të madhe të tifozëve, ka lënë të zhgënjyer të gjithë.

Edhe pse tifozët iu përgjigjën thirrjes që një ditë para ndeshjes bëri klubi dhe lojtarët, humbja i dëshpëroi jo pak. Ultrasi dhe kapitenët Klaus Radohina është një nga ultrasit e grupimit “Vllaznit”. Edhe pse është aksidentuar pak kohë më parë, ai nuk ka preferuar ta ndjekë takimin përmes televizorit, por ka qenë në stadium.

Edhe pse me karrocë, ai ka gjetur një vend në tribunën qendrore për të ndjekur ekipin e zemrës, duke i dhënë mbështetje me mënyrën e tij. Ndërkohë, dje si për koincidencë, kapitenët e ekipeve: Gilman Lika për Vllazninë dhe Nijaz Lena për Teutën kanë mbajtur numrin 17 në fanellë.

Lojtarët afrikanë

Futbollistët afrikanë të dy skuadrave: Nuredin Orelesi dhe Çarls Atsina, si dhe Onyeka Osemene e Latif Amadu kanë shtrënguar duart pas ndeshjes. Të katërt kanë biseduar në hollin e stadiumit, duke qëndruar për shumë minuta bashkë. Në fund, për të pasur edhe një kujtim nga kjo ndeshje, ku të fituar dolën afrikanët e Teutës, kanë shkrepur edhe një foto të përbashkët.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"