Pikantet/ Nga Laporta te Meta dhe Kushta, UEFA ndaloi edhe duhanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2017 | 23:36

Pikantet/ Nga Laporta te Meta dhe Kushta, UEFA ndaloi edhe duhanin

Nga masat e policisë në stadium, te masat e UEFA-s në tribuna për duhanin. Nga një i ftuar special si ish-presidenti i Barcelonës, Johan Laporta, deri te kreu i shtetit, Ilir Meta.

Laporta2

Një stadium që merr “aromën” e Kombëtares, pasi mbizotëronin flamujt kuqezi, ndryshe nga çdo takim tjetër dhe “fair-play” në fushë dhe tribuna, përpos ndonjë vërshëllime dhe thirrje brenda normave të një ndeshje futbolli.

Të gjitha këto, dhe jo vetëm, ishin disa nga pikantet e mbrëmjes së djeshme në “Elbasan Arena”, që sillen nga “Panorama Sport”, pa harruar edhe bërrylin, që për pak Shehi u godit nga arbitri i ndeshjes.

* Masat e policisë për këtë ndeshje kanë qenë të jashtëzakonshme. Përpos kontrolleve normale nuk munguan as ato të makinave për sa i përket eksploziveve. Nuk i shpëtoi asnjë makinë, madje edhe ato të medias.

Policia

* Stadiumi nuk u mbush plot, me ato pas portave që pothuajse ishin të boshatisura. Por interesimi për një biletë pak orë para ndeshjes ka qenë i jashtëzakonshëm, ku u krijuan radhë të gjata.

* Në tribunën VIP ishte prezent edhe ish-presidenti i Barcelonës, Johan Laporta, i ftuar enkas për këtë ndeshje. Nuk mungoi as presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

* Në këtë sfidë nuk mund të mungonte as Sokol Kushta, autori i golit historik ndaj Partizanit të Beogradit tri dekada më parë, si edhe Fadil Vokrri, ish-futbollist i ekipit serb dhe tashmë kreu i FFK-së.

* Edhe pse nuk lejoheshin tifozë të ekipit mik, në stadium mbërriti një delegacion i tyre. Para stadiumit, ata nuk nguronin të bënin foto me shallin e ekipit të tyre, duke provokuar jo pak.

Flamuri

* Ndryshe nga ndeshjet e tjera të Skënderbeut në Europë, këtë herë, në stadium mbizotëronin flamujt shqiptarë. Një i tillë gjigant u hap para startimit të sfidës, si për të treguar se kjo ndeshje për tifozët ishte po aq e rëndësishme, sa edhe e Kombëtares.

* Vërshëllima pa fund gjatë kohës që spikeri lançonte emrat e miqve dhe në çdo prekje të topit të tyre në lojë. Diçka e pritshme, duke njohur edhe problemet përtej fushës së futbollit midis Shqipërisë dhe Serbisë.

* Për të treguar se futbolli bashkon, skuadrat bënë një foto të përbashkët përpara startimit të ndeshjes, gjë, e cila solli edhe duartrokitje në shkallët e stadiumit.

* Tifozët në stadium, herë pas here, këndonin edhe këngë patriotike, si edhe thirrën në kor emrin e njeriut të dronit, Ballist Morina.

skenderbeu

* UEFA kishte dhënë urdhër që të mos lejoheshin cigaret dhe shpesh, nga stjuartët tërhiqej vëmendja. Mirëpo, shqiptarët nuk bëhen lehtë “zap” dhe pinin normalisht, edhe puro.

* Në minutën e 23-të, i gjithë stoli korçar ngrihet në këmbë pas rastit të humbur nga Xhejms, duke mos u besuar syve.

* Të dy teknikët respektivë të skuadrave qëndruan në këmbë gjatë gjithë kohës duke dhënë udhëzimet për lojtarët në fushën e lojës.

* Ashtu siç ka ndodhur gjithnjë në ndeshjet e Skënderbeut në Europë, nuk munguan menaxherët e shumtë, shqiptarë dhe të huaj.

* Duhet thënë se në fushë ka qenë një “fair-play” i vërtetë, teksa incidenti i vetëm u shënua në fundin e ndeshjes te përplasja me Micin dhe lojtarin serb, Tosiç. Gjithsesi, u mbyll gjithçka aty dhe në fundin e takimit lojtarët u takuan me njëri-tjetrin. Edhe në tribuna nuk pati asnjë incident.

Nga Elbasani VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"