Pikantet/ Mici nuk gjen rehat me këpucët, Nimaga “çon” në këmbë tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2018 | 21:35

Pikantet/ Mici nuk gjen rehat me këpucët, Nimaga “çon” në këmbë tifozët

Pak tifozë, por festë pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes dhe një premio 5 mijë euro që pritet të merret. Vllaznia-Skënderbeu ka pasur momentet e saj pikante, ku sigurisht nuk ka munguar as humori. “Panorama Sport” sjell disa nga të veçantat e ndeshjes së djeshme.

vllaznia

STADIUMI – Shumë pak tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Afro 500 të pranishmit ndoqën sfidën, me tifozët shkodranë që ende nuk janë bindur se Vllaznia ka forca për të përballuar me sukses edhe Skënderbeun. Binte në sy edhe mungesa e tifozërisë mike, e cila në vitet e fundit ka qenë e pranishme gjithnjë në shkallët e “Loro Boriçi”. Tifozëria e paktë shkodrane vetëm pas minutës së 85-të është kujtuar të mbështesë ekipin, pasi deri atëherë ka qëndruar në heshtje.

ILARITETI – Në minutën e 76-të, mesfushori i Skënderbeut, Bakari Nimaga, në përpjekje për të kontrolluar një top, i merren këmbët dhe rrëzohet në fushë, duke shkaktuar ilaritet në stadium. Pas këtij momenti, tifozët u çuan në këmbë, pasi ndeshjes po i vinte fundi.

Skenderbeu2

GJOKA – Pas minutës së 43-të, kur dhe u shënua goli i dytë nga Ribaj, trajneri Gjoka ka thirrur për të dhënë orientimet e rastit Vucajn dhe Çinari. Trajneri është dëgjuar t’u thotë lojtarëve se kërkon më shumë grintë dhe përqendrim. “Qëndroni sa më lart. Mbajeni larg portës Skënderbeun, mos u tërhiqni”, ka qenë britma e Gjokës.

MICI – Thuajse gjithë pjesën e dytë nuk ka gjetur rehat me këpucët mbrojtësi i majtë i Skënderbeut, Gledi Mici. Ai disa herë rresht është ulur për të lidhur lidhëset e këpucëve. Kjo irritoi në disa raste vetë lojtarin, që ra pre edhe e ngacmimeve të tifozëve.

OSMANI – Duartrokitet dhe njëkohësisht ofendohet nga tifozët mbrojtësi i Skënderbeut, Tefik Osmani, që pak vite më parë ka qenë edhe pjesë e Vllaznisë. Për një moment lojtari korçar ka ngritur kokën drejt tribunës qendrore, e më pas i është drejtuar dhomave të zhveshjes.

MUNGESAT – Një ekip më vete në tribunën qendrore. Bëhet fjalë për lojtarët që munguan në takimin e djeshëm, të cilët ishin të pezulluar dhe dëmtuar si Gocaj, Sukaj, Mersini dhe Marku. Korçarët i përfaqë- sonte Orges Shehi, i cili ka qenë pranë skuadrës në këtë sfidë.

FESTA – Lojtarët e Vllaznisë kanë festuar gjatë në dhomën e zhveshjes. Një fitore që i ka dhënë frymëmarrje skuadrës për vazhdimësinë. Nga ana tjetër, edhe një premio e premtuar ka ndezur edhe më shumë entuziazmin. Bëhet fjalë për një premtim personal të deputetit të Shkodrës, Tom Doshi. Ai po gjendet pranë ekipit duke e ndihmuar financiarisht dhe motivuar në arritjen e objektivit mbijetesë. Këtë herë pritet që fitorja ndaj Skënderbeut të shpërblehet me 5 mijë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"