Pikantet Kukësi-Tirana/ Vendasit zgjidhin çështjen e dusheve, arbitri i 4-t replikon me të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 22:12

Pikantet Kukësi-Tirana/ Vendasit zgjidhin çështjen e dusheve, arbitri i 4-t replikon me të gjithë

– Bora e rënë përgjatë ditëve të fundit kishte zaptuar qytetin e Kukësit dhe stadiumin “Zeqir Ymeri”. Mëngjesin e djeshëm, situata dukej e rënduar, por borë- pastrueset në kohë rekord për të normalizuar situatën. Ato nisën punën rreth orës 10:30 dhe pas një ore u larguan 15 cm dëborë. Më pas, punëtorët e fushës hoqën edhe mbetjet që makina e pastrimit kishte lënë.

Kukesi

– Në të 40-ën, Peter Pakult acarohet me arbitrin. Austriakut nuk i ikën e keqja për kartonin e verdhë të dhënë kundër Zderiç dhe ankohet tek i 4-ti.

– Një faull i paqenë acaron bardheblutë. I gjithë stoli në këmbë dhe debatet zhvendosen me një lojtar në pankinë. Madje, pati edhe debat, ndërsa Blerim Ziri nisi që të replikonte me një lojtar në stolin e Tiranës.

– Musolli ndërhyn ndaj Mugunës dhe acarohet. Kosovari i kërkon llogari, ndërsa keniani i kërkon që të mos flasë shumë, të paktën kjo u kuptua nga gjestet që bëri. U desh ndërhyja e Xhajës për të kthyer qetësinë me një këshillë për secilin. –

Tirana udhëtoi e plotë në Kukës, bashkë me lojtarët që mungonin (Maveje, Doka dhe Turtulli). Ze Maria veproi kështu, pasi nuk donte që të linte askënd pushim dhe ishte një formë për të mbajtur grupin e bashkuar.

Balde

– Toni Maveje, ashtu siç pritej, dënohet nga Komisioni i Disiplinës. I kuqi, që mori ndaj Tomorit, i kushton dy ndeshje ugandezit. Ai nuk luajti dje, megjithatë ka shansin që të kthehet ndaj Bylisit, nëse konverton në parà gjysmën e dënimit.

– Gjici dhe Halili e ndjekin ndeshjen nga tribuna. Presidenti i Kukësit qëndroi i qetë gjatë gjithë takimit, madje nuk takoi as ekipin për t’u treguar që akoma mërzitja dhe zhgënjimi prej tyre nuk i ka kaluar.

– Duke parë që takimi i dytë ndaj Tiranës ishte shumë i rëndësishëm për fatet e Kukësit në Kupën e Shqipërisë, presidenti urdhëroi që hyrja në stadium të ishte pa bileta. Kjo bëri që interesi të rritej, madje tifozët sfiduan edhe të ftohtin për të mbështetur ekipin. Rreth 1500 iu përgjigjen thirrjes së klubit. Dhe këta të fundit ua shpërblyen tifozëve, pasi me këtë fitore avancuan në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Kjo fitore mund të bëjë që tifozët t’i bashkëngjiten ekipit dhe në ndeshjet në vazhdim.

Balde

– Amido Balde merr minutat e para me Kukësin. Me daljen e Kalesë së dëmtuar nga fusha, ish-sulmuesi i Sëlltikut debuton me fanellën e verilindorëve.

– Ze Maria i përdor të gjitha kartat. Largon një qendërmbrojtës për një sulmues. Me daljen e Cakes, mbrojtja bëhet me tre, ndërsa i sapofuturi iu bashkua Ngoosë në majë të ofensivës.

– Sinjalizohet ndërrimi i fundit te Kukësi, por arbitri i 4-t, Blerim Ziri, “harron” një… nëntë. Nga fusha doli Bakaj për t’i lënë vend Idrizit, por në tabelën elektronike nuk ishte shënuar numri 99, por 9-ta, fanellë që i takon Sindri Gurit në fakt.

– Tirana del e humbur nga “Zeqir Ymeri”, megjithatë, në fund ka “fair play” mes lojtarëve dhe trajnerëve. Ngoo takohet me vendësit, ndërkohë edhe Pakult i jep dorën Ze Marias.

– Mbas përfundimit të takimit, futbollistët e Kukësit u përshëndetën me tifozët, të cilëve iu premtuan se do të bëjnë maksimumin për të vazhduar kështu.

– Dushet dhe uji në stadiumin e Kukësit kanë qenë problem për ekipin në vazhdimësi, por këtë herë drejtuesit kishin marrë masat duke mbushur depozitat para se të niste takimi. Kështu që futbollistët nuk hasën probleme në fundin e takimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"