Pikantet Kukësi-Laçi/ Tifozët e Kukësit godasin miqtë, Rexhinaldo ka një dedikim (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2018 | 21:30

Pikantet Kukësi-Laçi/ Tifozët e Kukësit godasin miqtë, Rexhinaldo ka një dedikim (Video)

Kishte shumë vite që në futbollin shqiptar ishin harruar skenat ku lojtarët apo trajnerët hynin të ruajtur me skafandra në dhomat e zhveshjes. Ato skena janë rikthyer dje pas përfundimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Laçit. Ka mjaftuar festa e kurbinasve në fushën e kuksianëve që tifozët vendës të shpërthejnë duke hedhur shishe me ujë dhe sende të forta në fushë.

laci skafander

Në momentin që gjyqtari Hamiti vërshëllen për fundin e ndeshjes, lojtarët miq grumbullohen në mesfushë, ndërsa drejt tyre vrapojnë edhe pjesëtarë të stafit, duke nisur festën. Kjo nuk i pëlqen aspak vendësve që nisin të godasin me shishe dhe sende të tjera miqtë. Situata ndizet edhe më shumë kur miqtë afrohen për të hyrë në dhomat e zhveshjes. Këtu duhet ndërhyrja e forcave speciale që shoqërojnë me skafandra për në dhoma lojtarët dhe pjesëtarët e stafit të Laçit.

Këto dy skuadra kanë prodhuar përballje të zjarrta mes tyre gjatë viteve të fundit dhe e tillë ishte edhe ajo e djeshmja. Ja edhe disa prej të veçantave në sfidën e djeshme.

-Në Tribunë, ditën e djeshme ishte edhe trajneri i Lirisë së Prizrenit, Bledi Shkëmbi. Duke përfituar nga afërsia e dy qyteteve, Kukës-Prizren, ish-kapiteni i Skënderbeut ndoqi ndeshjen e djeshme. -Gjatë takimit, tifozët vendës thërritën në korr disa herë “Lironi të burgosurit”, duke iu referuar disa kuksianëve që ende kanë mbetur në burg pas protestës që u zhvillua për vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit.

-Sulmuesi i Laçit, Rexhinaldo, po kalon momente shumë të vështira. Ai pati një përplasje të fortë me presidentin e skuadrës, Pashk Laska, ndërsa disa ditë më parë zhvilloi edhe një përballje të hapur me të. Pavarësisht të gjithave, Rexhinaldo ishte një prej më të mirëve në ndeshjen e djeshme, duke shënuar edhe golin që e çoi Laçin në finale.

Pas ndeshjes, në një status në profilin e tij në “Facebook”, Rexhinaldo shkruante: “Jam shumë i lumtur. Shënova golin e vetëm për skuadrën time dhe tani jemi në finale. Një tjetër ditë historike për mua. Faleminderit për mbështetjen”.

-Në momentin që miqtë po festonin kualifikimin në finalen e Kupës, Ndriçim Shtubina e tepron me reagimet ndaj vendësve dhe në këtë moment, gjyqtari Hamiti e ndëshkon me karton të kuq. Në këtë mënyrë, lojtari shkodran humbet finalen e 25 majit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"