PIKANTET| Kukësi-Kastrioti/ Longo ankohet për lojën e ashpër, Gjici: Mua më intereson të jem i pari në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 22:22

PIKANTET| Kukësi-Kastrioti/ Longo ankohet për lojën e ashpër, Gjici: Mua më intereson të jem i pari në fund

Kukësi fitoi në “Elbasan Arena” me rezultatin 3-1 kundër Kastriotit. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e kësaj sfide.

Kukesi

– Duke marrë shkas nga ndeshja e kaluar midis Dinamos dhe Laçit, ku pati tensione dhe presione ndaj gjyqtarit në momentin e VAR-it, në këtë përballje monitori ku arbitri mund ta shohë regjistrimin ishte spostuar. Nuk ishte më midis dy pankinave dhe pranë tribunës VIP, por i larguar më në cep të fushës, ku gjatë gjithë kohës qëndronte një stjuard.

Kukesi tribuna

– Edhe pse hyrja ishte e lirë për tifozët, sërish numri i tyre nuk ishte shumë i madh. Kjo, edhe për faktin se luajnë dy skuadra që afërsinë me Elbasanin nuk e kanë të vogël. Gjithsesi, gjysma e tribunës qendrore u mbush, teksa vetëm ky sektor u hap.

– Portieri i Kastriotit, Edmir Sali pëson një dëmtim gjatë nxehmjes dhe nuk ia del dot duke detyruar Ndreun të bëjë një ndërrim dhe të hedhë në fushë portierin e dytë, Arlis Shala.

– Safet Gjici preferoi ta ndjekë nga afër ndeshjen e kësaj jave, teksa ishte i pranishëm në tribunën e “Elbasan Arenës”.

Gjici Elbasan Arena

– Në stadium nxirret jashtë një djalë që shiste fara luledielli, kjo për faktin se tifozët nisën të mbushnin xhepat dhe gjithë lëvozhgat i hidhnin në tokë. Në fakt, pamje që të lënë për të dëshiruar në fund të ndeshjes, ku ishin mbushur me lëvozhgat e farave.

– Longo ankohet disa herë tek arbitri për lojën e ashpër ndaj të tijve duke kërkuar edhe ndëshkimin e kundërshtarit me karton.

Longo

– Ekipi i Kukësit proteston ashpër te kryesori për një pretendim për prekje me dorë të topit gjatë largimit me kokë për te portieri.

– Longo përqafon para hyrjes në fushë Feijaon me Puntusin, si për t’u thënë që ka besim se ata do ta zgjidhin ndeshjen. Feijao merr udhëzime edhe nga Pejiçi.

– Pas golit të dytë të Kukësit, tekniku i Kastriotit Ramadan Ndreu, ulet në pankinë dhe nuk jep më udhëzime për të tijtë, duke parë që skuadra nuk po funksiononte më në fushë. Këtë detyrë e bëri ndihmësi i tij deri në fund të ndeshjes.

– Në fund ka përgëzime për Gjicin nga miqtë e tij, por ky i fundit i merr gjërat me qetësi dhe pa eufori. “Tani jemi në vend të parë”, ia behu miku i tij, por Gjici ia kthen: “Mua më intereson të jem i pari në fund”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"