Pikantet| Kastrioti-Partizani/ Solomon shfaqet në tribunë, Obanori lë Laçin për ndeshjen në Kamëz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 20:46

Pikantet| Kastrioti-Partizani/ Solomon shfaqet në tribunë, Obanori lë Laçin për ndeshjen në Kamëz

Takimi mes Kastriotit dhe Partizanit u parashikua shumë i luftuar dhe që mund të kishte edhe rezultat surprizë. Deri diku pjesa e parë i dha të drejtë këtij parashikimi, me krutanët që ua bënë shumë të vështirë “demave” të merrnin fitoren. Por, në pjesën e dytë, në fushë pati vetëm një ekip dhe ai ishte Partizani. Të kuqtë e Ilir Dajës arritën të merrnin një fitore të pastër 0-3, më të tre golat që u shënuan në 25 minutat e fundit.

partizani kastrioti

* Nën monitorimin e delegatit Besnik Çela, sfida mes Kastriotit dhe Partizanit ishte e qetë. Me tifozë aq sa lejon protokolli. Ndërsa nuk munguan disa të tjerë që shfrytëzuan xhaminë apo ndonjë lokal a ndërtesë përreth stadiumit.

* Pavarësisht reshjeve që nuk pushuan përgjatë 90 minutave, terreni rezistoi vetëm në pjesën e parë dhe në të dytën pati rëndim të tij, mirëpo kjo nuk i pengoi të kuqtë të shënonin tre gola vetëm në këtë pjesë.

* Ndreu këshillon të tijtë për vendosjen në pjesën e parë. “Zhivan më brenda, o Xhulio, po jo pra jo, çfarë them unë në analizë e çfarë bën ti tani”.

* Ndreu qëndroi në këmbë duke udhëzuar skuadrën deri kur u shënua i treti, ndërsa Daja nuk doli asnjëherë nga pankina, pasi shiu binte pa pushim.

* Pankina krutane pati vërejtje ndaj kryesorit për disa faulle, kjo nxiti Ndreun: “O djali, si e ka emrin ky mor. Po ça është ai faull?!”

* Tre lojtarë dolën në nxehmje ende pa u mbyllur pjesa e parë te Kastrioti: Daci, Deliaj dhe Xheka ishin treshja që filloi nxehmjen që në minutën e 40-të, ndërsa u aktivizuan gradualisht në të dytën.

stenio

* Trajneri i portierëve të Kastriotit, Besnik Malaj, i shërbeu çaj të ngrohtë delegatit dhe pankinës krutane pas pjesës së parë. Gjithashtu, edhe portierit Hidi para se të hynte në fushë për pjesën e dytë.

* Pas një “përplasjeje” mes Nuriut dhe Asanit, reagon edhe Ndreu për gjestin e lojtarit të Partizanit, ndërsa ky i fundit e shikon i habitur mënyrën se si reagon trajneri i krutanëve.

* Pak minuta më vonë, sërish Asani protagonist me një ndërhyrje të rëndë. Arbitri e “fal”, por vërejtjet nuk i mungojnë as nga trajneri Daja.

* Në tribunë, u pa edhe ish-sulmuesi i Partizanit, Theofilus Solomon, i cili ende nuk është transferuar në Kuvajt, aty ku ka firmosur për ekipin e Al-Qadsia. Në shoqërinë e tij ishte edhe nigeriani i Laçit, Erhun Obanor. Mbrojtësi kishte zgjedhur të shikonte të kuqtë dhe jo ekipin e tij, pikërisht në një javë që ishte i pezulluar për kartonë.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"