Pikantet / Humor me flamurin, lezhjanët “dorëzohen” për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2017 | 13:59

Pikantet / Humor me flamurin, lezhjanët “dorëzohen” për Superioren

– Në “Selman Stërmasi” ishin jo më shumë se 500 të pranishëm. Më shumë se reshjet e shiut, tribunat bosh vijnë prej bojkotit të “Tirona Fanatics”, megjithatë ata që u ndien më shumë dje ishin ultrasit e zjarrtë të Besëlidhjes.

– Sa shumë “ekspertë” në tribuna! Tifozët miq kishin vazhdimisht ide për trajnerin Alban Bruka, madje që në minutën e gjashtë thanë: “O Bruke, çoji çunat para. Nuk kemi çfarë të humbasim”.

Halili ne tribune

– Halili dhe Noka në “kate” të ndryshme. Presidenti i Tiranës e fton homologun e tij që t’i bashkohej, por ai preferoi të qëndronte mes miqve të tij lezhjanë.

– Shirat bënë të vetën. Terreni ishte tejet i rënduar dhe i rrëshqitshëm dhe kjo u pa qartë gjatë lojës, ndërsa në momente futbollistët humbisnin kontrollin ose topi ngecte.

– Mirel Josa kërkonte kujdes, ndaj në të 26-ën i thotë Karabecit që t’i drejtohet ekipit për të mbuluar mirë çdo sektor të fushës, madje në një moment u dëgjua teksa tha: “O Erando, janë shumë larg krahët”.

– Debate në tribunën VIP. Të pranishmit në këtë sektor në një moment u kapën me fjalë në distancë. Por gjithashtu u mbyll aty.

Tirana - Beselidhja

– Ka humor me flamurin e këndit, i cili u thye. Kjo ndodhi në të 31-ën dhe u deshën plot 6 minuta që gjithçka t’i kthehej normalitetit. U përfshinë që të gjithë punëtorët, por s’po i jepnin derman. Vetëm pasi drejtori i stadiumit solli një të ri, rinisi loja. Megjithatë pauza u shoqërua me humor, ndërsa tifozët lezhjanë, veç të qeshurave, kishin batuta dhe duartrokitje për “heronjtë” që rregulluan flamurin.

– Tifozët lezhjanë, pasi pësuan golin e dytë, “thumbojnë” Tiranën, duke i paralajmëruar rënien nga kategoria: “Hajde, hajde se me ne do luani në të Parën”.

– Kontestohet gjyqtari Laver Alla prej miqve. Futja në tunel gjatë pushimit të pjesës së parë u shoqërua me sharje.

Mirel Josa

– Kualifikimi dukej i sigurt, megjithatë pak kujdes kërkohej. Ndaj edhe Mirel Josa në të 67-ën kontrolloi një herë orën, për të parë se sa minuta kishin mbetur nga finishi.

– Tirana merr penallti pas 26 muajsh. Nuk kishte marrë asnjë 11-metërsh që prej 13 shkurtit të 2015-ës (kohë që ekipi drejtohej nga Ilir Daja dhe fituan 2-0 ndaj Bylisit).

– Pas një rrëshqitjeje të Dokës në zonë, me ironi tifozët lezhjanë në kor thanë: “Ishte penallti”.

– Gjashtë afrikanë ishin në fushë dje, 5 si titullarë dhe 1 nga stoli (Merveil, Akua e Moise për Tiranën dhe Sidibe, S.Kamara e O.Kamara te Besëlidhja). Ajo që ra në sy ishte komunikimi me gjeste mes Sekou Kamaras dhe stafit teknik të Besëlidhjes. Vetëm duart lëvizi, por e rëndësishme është që mes tyre u morën vesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"