Pikantet / Gjyqtari Sino ndërpret ndeshjen dhe bën xhonglime me topin, sherr në tribunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2017 | 18:31

Pikantet / Gjyqtari Sino ndërpret ndeshjen dhe bën xhonglime me topin, sherr në tribunë

Luftëtari ndihet i braktisur nga tifozët, ndërsa Lushnja, edhe pse në pozita jo të mira, arrin të mbështetet fuqishëm në transfertë. Megjithatë, dje grupimi i ultrasve lushnjarë, “Delegatët”, janë bërë protagonistë në stadiumin “Gjirokastra” me fyerje të vazhdueshme të gjyqtarit kryesor, Emirjon Sino. Ky i fundit, pasi i duroi për një kohë të gjatë, vendosi të ndërpresë ndeshjen për 4 minuta.

Sino

NDËRPRERJA – Në minutën e 72-të, Sino ndërpret lojën dhe thërret kapitenin Sefa, duke i kërkuar të qetësojë tifozët, të cilët po shanin në kor arbitrin fierak. Sulmuesi nuk pranon që të shkojë tek ultrasit lushnjarë dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Në këtë moment Sino dhuron “show” në pritje të qetësimit të tifozërisë, teksa bën xhonglime me topin. Te tifozët shkon sulmuesi Canka, ndërsa pas ndërhyrjes së delegatit Zajmi, më pas loja rifillon normalisht.

Lushnja

SHERRI – Sikur të mos mjaftojnë tifozët, edhe drejtuesit lushnjarë në tribunën VIP lëshojnë fyerje ndaj arbitrit Sino. Përfaqësuesit e klubit mik u konfrontuan edhe me disa tifozë gjirokastritë që ndodheshin në tribunën qendrore, por ndërhyri menjëherë policia.

PORTIERI – Në minutën e 79-të, portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, bëri një veprim të çuditshëm. Ai u kërkoi sprajtin (ftohësen) mjekëve të Luftëtarit, që në atë moment ishin në fushë pas dëmtimit të Aleksit. Pasi u merr sprajtin, nis ta përdorë në pjesën e barkut. Si duket 35-vjeçari është dëmtuar në momentin e përplasjes me shtyllën pingule.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"