Pikantet / Gjici kalon nga shpërthimi festiv te shfryrja me duar, zëri i Koçit dëgjohet më shumë se i Gjokës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2017 | 17:16

Pikantet / Gjici kalon nga shpërthimi festiv te shfryrja me duar, zëri i Koçit dëgjohet më shumë se i Gjokës

Sfida e djeshme midis Kukësit dhe Sherif Tiraspolit prodhoi gjithçka në tribuna, me Safet Gjicin që gëzohet pa masë te dy golat e shënuar dhe më pas tërbohet për rastet e humbura dhe penalltinë. Kuksianëve nuk u sjell fat as trajneri i ri i Kombëtares, Kristian Panuçi, i cili e pa nga afër këtë përballje.

gjici panuci

Nervozizëm edhe në kampin mik me trajnerin e kësaj skuadre që kërkon shpesh llogari te gjyqtari i 4-t dhe Gjoka që preferon të mos e shohë penalltinë e Pero Pejiçit në fundin e ndeshjes. Të gjitha këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet e mbrëmjes së djeshme në “Elbasan Arena”.

-Tifozët e Kukësit mbërritën në stadium të zhveshur dhe me kapele ushtarake, si pjesë e koreografisë së tyre. Edhe brenda në shkallët e stadiumit ku përkrahën skuadrën e tyre nuk hoqën dorë nga kjo “koreografi”.

-Si gjithnjë, shqiptarët i lënë për në fund gjërat, kështu bënë edhe për biletat. Deri në momentin që startoi ndeshja, sporteli ishte i tejmbushur, madje tek-tuk shihje ndonjë që blinte edhe pas startimit të saj.

-Përpara nisjes së ndeshjes, ekipi moldav i Sherif Tiraspol u bë bashkë në pankinë, ku i dhanë zemër njëri-tjetrit, së bashku me stafin.

-Trajneri i moldavëve ka qenë shumë ekspresiv gjatë ndeshjes, madje që në minutën e 2-të i kërkonte llogari gjyqtarit të 4-t për një faull që nuk u dha në favor të skuadrës së tij. Edhe në momentin e penalltisë për Kukësin nuk e përmbajti veten.

-Nuk mund të mungonte në stadium edhe trajneri i ri i Kombëtares tonë, Kristian Panuçi. Nuk dihet nëse i ka pëlqyer ndonjë element nga kampionët për ta thirrur në Kombëtare…

-Në tribunë, përveç presidentit të Kukësit, Safet Gjici, ishte edhe ai i Federatës, Armand Duka. Kreu i FSHF-së mbërriti me pesë minuta vonesë dhe u ul krah Panuçit. Nuk mungoi as deputeti i PS në Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, përkrah Gjicit.

-Ekzaltim i Safet Gjicit në tribunë pas golit të Izair Eminit. Përqafime me këdo që kishte afër. Gëzim i ligjshëm! E njëjta situatë edhe në golin e dytë, së bashku me Ballën në tribunë.

kukesi sherif

-Në minutën e 40-të, gjyqtari i 4-t afrohet pranë pankinës kuksiane duke i tërhequr vëmendjen një lojtari të Kukësit, për shkak të ndonjë irritimi të momentit.

-Shameti u pa shumë i nervozuar gjatë ndeshjes, teksa kapej shpesh me lojtarët miq për shkak të vonesave. Në një moment diçka kishte edhe me teknikun Gjoka, pasi ky i fundit po i kërkonte që të ruante qetësinë.

gjoka shameti

-Në momentin që Karioka po zëvendësohej, diçka nuk shkonte me bluzën e tij dhe gjyqtari i 4-t i kërkoi të ndërronte bluzën. Pasi e bëri këtë, atëherë edhe u fut në lojë.

-Gjatë gjithë ndeshjes, më shumë sesa zëri i Gjokës në pankinë, dëgjohej ai i portierit të dytë, Ervis Koçi, i cili jepte shpesh udhëzime për lojtarët në fushë.

-Përpos gëzimit te golat, Gjici nuk e fshehu zhgënjimin te rastet e humbura nga lojtarët e tij në fushë, duke shfryrë në tribunë. Kulmi arrin kur Pejiç humb penalltinë, duke shfryrë edhe me duar.

-Në momentin e penalltisë, tekniku Gjoka preferoi të mos e shihte penalltinë. Për fat të keq, Pejiç e humbi atë…

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"