Pikantet / Frika nga përplasja me tifozët, autobusi i Partizanit kthehet nga Rinasi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2017 | 22:57

Pikantet / Frika nga përplasja me tifozët, autobusi i Partizanit kthehet nga Rinasi

-Parashikimet ishin që stadiumi do të ishte plot për të pritur derbin më të ri të kryeqytetit, por kamzalinjtë preferuan më shumë që ndeshjen ta ndiqnin nga tarracat, ballkonet, skutat, sesa të paguanin 200 lekë. Mbi 1 mijë tifozë ishin të pranishëm dje në stadiumin e Kamzës.

Tifozet e Partizanit

-Tifozët e Partizanit që ishin nga Kamza u bashkuan me grupimin e tifozëve “Guerrils”, duke u vendosur në anën e majtë të tribunës qendrore, duke përbërë gjithsej rreth 200, ndërsa tifozët e Kamzës ishin vendosur në pjesët e tjera të stadiumit, duke u bërë gjithsej rreth 1000.

-Dy presidentët e skuadrave, Naim Qarri dhe Gaz Demi, e ndoqën takimin pranë njëri-tjetrit në tribunën VIP. Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, nuk ishte i pranishëm në këtë takim.

-Trajneri Ramadan Ndreu ka qenë impulsiv, duke dalë shpeshherë nga pankina, madje duke kaluar edhe vijën e mesit të fushës. Kjo ndodhte kur acarohej me vendimet e anësorit Ermal Barushi, madje në pushim të pjesës së parë, ai i afrohet anësorit duke i shprehur pakënaqësinë.

-Stevan Raçiç u tregua shumë solidar dje me ishshokët e ekipit, pasi kur dëmtoheshin, ai shkonte i ngrinte dhe i përqafonte. Përjashtim bëri minuta e 75-të, kur përplasi me duar Asanin.

-Përfundimi i ndeshjes i ka zemëruar jashtë mase tifozët e Partizanit. Ata mbeten e vetmja pjesë besnike e fanellës së kuqe dhe pas 90 minutash mbështetje për ekipin, zhgënjimi i humbjes u shoqërua edhe me lot në sytë e ultrasve. Të acaruar në maksimum nga disfata, ata kanë kontestuar në kor ekipin, stafin dhe kryesisht drejtuesit e lartë të klubit kur po largoheshin nga stadiumi.

-Duke parë irritimin e ultrasve të kuq, policia i ka kufizuar lëvizjet e tyre dhe i ka shoqëruar deri te stacioni i autobusëve, duke i hipur me zor, në mënyrë që të mos kishin kontakte me mjetet e drejtuesve dhe autobusin e klubit.

-Ultrasit e kuq menduan që të bllokonin autobusin e ekipit kur të dilte nga stadiumi, por policia i largoi me shpejtësi. Madje për të evituar përplasjet e mundshme, autobusi i Partizanit mori rrugën për nga Fushë-Kruja, për t’u kthyer në kryeqytet nga Rinasi.

-Pas ndeshjes, në korridoret e stadiumit, Luciano Moxhi dhe disa drejtues të tjerë qëndruan para derës së dhomës së zhveshjes së Partizanit, ndërsa drejtori Preiti i bënte shoqëri Iulianos në pankinë që po tymoste një cigare pas humbjes. Preiti shkonte e vinte te vendi ku ishte Moxhi, i cili po priste sa të qetësohej situata jashtë dhe të largohej me drejtuesit e tjerë drejt kryeqytetit, ndërsa presidenti Demi, pas përshëndetjes me Naim Qarrin dhe urimit për fitoren, i hipi makinës së tij dhe u largua menjëherë nga stadiumi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"