PIKANTET| Flamurtari-Tirana/ Idrizi shtrohet me Kalenë e Torasën, presidenti Halili largohet i mërzitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2019 | 21:46

PIKANTET| Flamurtari-Tirana/ Idrizi shtrohet me Kalenë e Torasën, presidenti Halili largohet i mërzitur

Administratori Sinan Idrizi hapi dje dyert për tifozët. Këta të fundit ishin të paktë në numër, rreth 200. Ndërkaq, ka munguar grupimi i ultrasve vlonjatë, “Flota Kuqezi”.

flamurtari tirana sukaj lika

Nuk ka policë privatë. Në takimin e djeshëm nuk ka pasur stjuartë. Në tribunën VIP janë parë pak civilë të rendit dhe tre policë bashkiakë. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të mos pranojnë policë privatë për këtë ndeshje, duke bërë “presion” në njëfarë mënyre, që kjo çështje të zgjidhet nga Policia e Shtetit. Megjithatë, ndeshja shkoi mjaft mirë dhe pa asnjë incident.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e ka ndjekur takimin e djeshëm nga tribuna, nën shoqërinë e presidentit të Tiranës, Refik Halili. Përkrah Idrizit, edhe regjisori Albert Minga.

Trajneri i Flamurtarit, Dritan Sadedini, respekton në maksimum sfidën. Ai ka preferuar dje një veshje serioze.

flamurtari tribuna vip

Një grup fëmijësh kanë tërhequr vëmendjen dje në stadium, teksa brohorisnin për Flamurtarin. Pas golit të Tiranës, tifozët e Flamurtarit u japin zemër lojtarëve. “O çuna, luani fort!”

Drejtori Edmond Liçaj e ka ndjekur ndeshjen shoqëruar nga Devi Muka. Gjatë gjithë kohës kanë parë të komentojnë për ndeshjen. Ndërsa në pjesën e dytë, Muka është ngjitur disa shkallë më lart në tribunë pranë drejtuesve të Tiranës.

Lojtari i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, ishte dje në Vlorë. Lila e ndoqi ndeshjen mes Flamurtarit dhe Tiranës.

Pas autogolit të Ngosë, greku Sarris i Flamurtarit bën kryqin dhe kap barin me dorë.

20 minuta lojë, shfaqet grupimi ultras “Tirana Fanatics”, të cilët hapin edhe banderolën identifikuese të tyre.

Trajnerit të Flamurtarit, Dritan Sadedini, i rritet temperatura pas 24 minutave lojë. Tekniku heq xhaketën, e çon në pankinë dhe del me bluzë me mëngë të shkurtra.

Në minuta e 30-të, tifozët e Tiranës nisën brohoritjet në mbështetje të ekipit. Tri minuta më vonë, shpalosin një banderolë me mbishkrimin “Lirim për ultrasit”.

tirana fanatics liri per ultrasit

39 minuta lojë, Sadedini kapet me Zeqajn, duke i bërtitur. Gjyqtari i afrohet për ta këshilluar të mos e kalonte vijën.

Tifozët e Flamurtarit në fund të pjesës së parë përshëndetin Bathën dhe Kalenë. Batha i përshëndet me dorën në zemër.

Argjentinasi i Orikumit, Gonzales, ka ndjekur ndeshjen shoqëruar nga fizioterapsti Enis Malaj. Duke shfrytëzuar praninë e argjentinasit, një tifoz shprehet. “Orikumi ka ekip, jo Vlora”.

Sapo ekipet dalin në fushë në pjesën e dytë, një tifoz “ngacmon” Kalenë teksa i flet: “O Marika”. Kale kthehet dhe e përshëndet. Tifozi e kishte pagëzuar brazilianin me këtë emër kur ishte te Flamurtarit.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, largohet shumë i mërzitur pas ndeshjes. Ai takohet me Idrizin dhe ikën menjëherë.

Administratori i Flamurtarit duket se ka mbetur i kënaqur nga barazimi, pasi pas takimit duartrokiti lojtarët e tij në momentin që po futeshin në tunel.

Sinan Idrizi takohet përzemërsisht në hollin e stadiumit me Torasën dhe Kalenë. Të binte në sy fakti se pas takimit, në momentin e largimit, ish-portieri i Flamurtarit, Ilion Lika, ka kaluar para Idrizit dhe nuk e përshëndeti. Me sa duket, mes Idrizit dhe Likës marrëdhëniet duken të ftohta. Administratori i vlonjatëve është parë të bëjë muhabet edhe me Sukajn e Ribajn.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"