Pikantet / Festohet “goli” i… Ilir Metës, shumë kinezë të pranishëm. Starova: Ç’më kanë parë sytë sot!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 16:59

Pikantet / Festohet “goli” i… Ilir Metës, shumë kinezë të pranishëm. Starova: Ç’më kanë parë sytë sot!

Tensioni i fitores prodhoi përplasje në pankinën e Partizanit. Pak minuta para golit të Sukajt, pati një fërkim mes dy pjesëtarëve të stafit teknik, zv.trajnerit Klevis Dalipi dhe trajnerit të portierëve Mario Kapeçe. Mësohet se shkak është bërë një debat mes Bardhit dhe Dalipit, pasi lojtari priste të luante. Në debat ka hyrë edhe Kapeçe, megjithatë, falë ndërhyrjes së pjesës tjetër që ishte në stol, u shmang përplasja mes dy trajnerëve.

tirana partizani tribuna, brace demi kinezi

– Arbitrat, së bashku në kafe dy orë para ndeshjes. Duke qenë se kishte derbin e parë në karrierë, Juxhin Xhaja pagoi faturën e kafeve.

– Të parët që mbërrijnë në stadium janë miqtë, autobusi i Partizanit parkon para “Selman Stërmasi”-it në orën 17:32 minuta.

– Këngëtarja Big Mama prezente në stadium. Jo si tifoze e thjeshtë, por për emisionin “Një kafe me Mamën” e saj që transmetohet në Maqedoni. Ishte edhe Shpat Kasapi, që ashtu si kolegia e tij kishte veshur fanellën e kuqe.

– Shumë pak interes prej tifozëve. Ndryshe nga e shkuara, edhe pse ishte ora 17:30, nuk kishte fluks në rrugë apo te biletaritë.

– Hidi, Abilaliaj, Xhafaj, Pinari, Bulku, Devolli… sa shumë “ish” të pranishëm në stadium.

– Mazrekaj, kur hyn në fushë, i thërret Asion Dajës: “Ku je more byrazer…!”.

– Sa shumë kinezë të pranishëm dhe të gjithë në tribunat e Partizanit.

– Sektori i mediave bëhet lëmsh, ndërsa klubi pritës kishte nxjerrë bileta për tifozët e Partizanit. Kjo bëri që shumë sportdashës të ndiheshin gazetarë për një ditë, ndërsa këta të fundit si… tifozë.

– Një derbi ndryshe dhe kjo prej presionit të madh që kishin të dyja kampet. Lojtarët e të dy ekipeve, përqafime para se të niste ndeshja që vendoste mbijetesën dhe titullin.

– Mirel Josa tymos një cigare, ndërsa lojtarët bëjnë nxehmje.

– Ndeshja nis një minutë me vonesë për shkak të rrjetës së çarë. Vetëm pasi u ndreq, startoi derbi i 149-të në historisë.

– Josa i kërkon llogari Teqjes për një top të pasuar te Daja, të cilin priste që t’ia jepte Takut, që ishte në pozicion më të volitshëm.

– Kalari pëson tërheqje që në të 12-ën. Qëndroi me dhimbje në fushë dhe në të 19-ën i la vendin Mazrekajt.

– Përplasje mes Krasniqit dhe Teqjes, ndërsa po ekzekutohej një këndore, por gjithçka mbeti te debati verbal.

– Një top përfundon te tifozët e kuq dhe këta të fundit nuk e kursejnë Teqjen me ofendime.

– Një dron nis t’i afrohet stadiumit në të 38-ën, por nuk u kuptua mesazhi i banerit që kishin shpalosur, kjo për një motiv të qartë: droni nuk e kaloi dot perimetrin e “Selman Stërmasi”-t. Megjithatë, mjaftoi një foto e zmadhuar sigurisht për të zbuluar çfarë shkruhej. “Ti je turpi i Tironës”. Duket se ka ardhur nga tifozët bardheblu, e megjithatë e paqartë është se kujt i drejtohej.

– Ishte ora 19:25 dhe pranë sheshit “Uillson” nisin fishekzjarrët. Tifozët nuk i kursejnë batutat: “Gol i Metës, ta gëzojmë presidentin”. Dhe në fakt ka qenë pikërisht momenti që Meta u vendos president dhe festa kishte shpërthyer në selinë e LSI-së.

– Batha provokon pas golit. Tifozët e kanë ofenduar gjatë gjithë kohës, ndaj pasi dërgoi topin në rrjetë, me gjeste u tha: “Mund të më shani tani”.

– Sa shumë trajnerë në tribuna, të gjithë kanë këshilla. “Fut Cetkoviçin në vend të Vilës”. Dhe duket se stafi teknik i Partizanit e mori mesazhin, pasi në të 54-ën bëri ndërrimin.

– Egbo jep këshilla para se të ekzekutohej penalltia dhe është Edeh që i përcjell mesazhin Likës, ndërsa i thotë që do e gjuajë djathtas. Dhe në fakt kështu ndodhi, portieri gjeti krahun, por golin nuk e shmangu dot.

– Gëzim Krasniqi humb Kukësin. Mbrojtësi i qendrës mori të tretin të verdhë dje e për pasojë nuk do të jetë në fushë për ndeshjen që vendos titullin kampion. Por nuk është i vetmi, pasi do të mungojë edhe Labinot Ibrahimi.

– Presioni në pankinën e kuqe rritet, aq sa në të 80-ën Starova pyet: “Dhe sa minuta do?”. Pas 4 minutash, u kërkon që të gjithëve që të hidhen në sulm. Dhe kjo kërkesë rezultoi efikase, pasi goli erdhi.

– Vonesat e lojës, fundi u shoqërua me shumë “dëmtime”. Megjithatë që të gjithë shënoheshin pasi shkonte barela.

– Starova dhe Kalari ndezin tifozët pas golit, u kërkojnë që të shtojnë dozën e entuziazmit.

– Starova shpërthen ndaj Ramadanit: “A je i çmendur”, pasi humbi një top që mund të rrezikonte barazimin 2-2.

– “Bobi”, para se të dilte në konferencën e tretë radhazi për media, donte të tymoste një cigare. Dhe, në bisedë e sipër, thotë: “Ç’më kanë parë sytë sot (dje)”. E pati për skuadrën që nuk doli kurrë në lojë, apo për gjykimin, kjo nuk u kuptua.

– Pas golit të Sukajt, disa shishe përfundojnë në fushë prej tifozëve të Tiranës. Ramadani e shtyn një me këmbë, e cila përfundon te pankina e Tiranës. Kjo bën që Edvan Bakaj të irritohet dhe të nisë një debat me fjalë, ndërhyn edhe Ibrahimi, por më shumë për t’i ndarë. Por, kaq mjaftoi që kryesori t’u tregonte të kuqin të dyve.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"