PIKANTET/ Festë e çmendur në “acar”, shkodranët ndezin Elbasanin. Imami i betohet arbitrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2021 | 21:50

PIKANTET/ Festë e çmendur në “acar”, shkodranët ndezin Elbasanin. Imami i betohet arbitrit

I ftohti i hidhur në Elbasan bëri që të pranishmit të mësynin në kabinat e stadiumit. Sigurisht jo për të gjithë kishte vende dhe të tjerët u detyruan të duronin të ftohtin tek ulëset si zakonisht.

Vllaznia tifozet logo

Në tribuna nuk munguan as drejtuesit më të lartë të të dyja ekipeve, njëkohësisht kryebashkiakë të Kukësit dhe Shkodrës, Safet Gjici dhe Voltana Ademi. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme, që u mbyll me festë të çmendur në kampin shkodran.

Kukesi-Vllaznia

* Asistenti i parë, Dojando Myftari, jep një goditje dënimi për Kukësin pas ndërhyrjes së Imamit ndaj Leirës. Në këto momente mbrojtësi i Vllaznisë i kthehet asistentit: “Me rob shpie mo, ça i bëra që e dhe faull…”.

* Afrikani i Kukësit, Patrik Eze, nuk është i mësuar me temperatura të ulëta, ndaj kishte marrë paraprakisht masa për ta përballuar disi. Sulmuesi kishte veshur geta dhe doreza.

* Nuk i kanë lënë pas batutat me të ftohtin edhe tifozët. “Po ne ç’na u desh me këtë të ftohtë të vinim në Elbasan, e shihnim ndeshjen më mirë në shtëpi…”.

* Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, përfiton nga një ndalesë e lojës për t’i dhënë udhëzime Imamit dhe lojtarëve të tjerë. Të njëjtën gjë bënte edhe kolegu i tij te Kukësi, Rraman Hallaçi.

* Në përfundim të pjesës së parë portieri i Kukësit, Angelo Tafa, kishte diçka për të sqaruar me gjyqtarët. Pas diskutimeve, në fund u nda duke qeshur me ta.

* Është e njohur lidhja e tifozëve shkodranë me ekipin e tyre, për më tepër këtë sezon që janë në krye. Edhe pse të vetëdijshëm që hyrja në stadium nuk lejohet, udhëtuan drejt Elbasanit. Disa me fat arritën të futeshin, ndërsa shumë të tjerë mbetën jashtë “Elbasan Arenës”.

* Goli i Arlind Kalasë ka ngritur në peshë të gjithë të pranishmit shkodranë në stadium. Lojtari shkoi ta festonte me të gjithë në pankinë. Madje, një tifoz nga gëzimi hipi edhe mbi tribunën ku qëndrojnë gazetarët dhe po valëviste flamurin kuqeblu.

* Mesfushori i Kukësit, Ergys Peposhi, nuk e kishte fanellën të personalizuar, pasi mungonte mbiemri i tij mbi shpinë. Futbollisti mbante veshur fanellën me numër 6.

* Në fund të ndeshjes ka festë, me këngë dhe flamuj të Vllaznisë, teksa tifozët i gëzohen fitores jashtë stadiumit. Brdariç u bë njëri prej tyre, pasi festoi me ta pas daljes nga stadiumi, ashtu si edhe lojtarët para se të hipnin në autobus.

V.MEMA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"