PIKANTET Egnatia-Vllaznia/ Latifi dhe Pedro sjellje identike, Brdariç kërkon mbështetje nga tifozët (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2021 | 20:34

PIKANTET Egnatia-Vllaznia/ Latifi dhe Pedro sjellje identike, Brdariç kërkon mbështetje nga tifozët (VIDEO)

Te Vllaznia nervozizmi është shfaqur më shumë se kurrë në ndeshjen e djeshme. Kulmi arriti në minutën e 76-të, kur trajneri Tomas Brdariç, vendosi të zëvendësonte Liridon Latifin, për të hedhur në fushë Ardit Hoxhajn.

EGNATIA VLLAZNIA

Sulmuesi i krahut nga Prishtina nuk e priti aspak mirë vendimin e gjermanit, teksa inatin ia nxori kutisë së emergjencës mjekësore të stafit shkodran, që ishte vendosur para pankinës. Latifi e goditi fort me të djathtën termosin, ndërsa në këtë moment rrëshqiti keqazi dhe përfundoi në pankinë, duke i habitur shokët e skuadrës me gjestin. Pasi qëndroi i ulur për pak sekonda, më pas, kosovari nxitoi për t’u larguar drejt dhomave të zhveshjes.

27-vjeçari rrezikoi jo pak, pasi mund të pësonte një dëmtim që do t’i kushtonte shtrenjtë. Mirëpo, ky nuk ishte rasti i vetëm i nervozizmit të lojtarëve shkodranë në takimin e djeshëm. E njëjta gjë ndodhi me sulmuesin Ante Aralica në fundin e pjesës së parë. Kroati u acarua shumë me Krujën, në një moment kur priste të shërbehej. Ai i kërkoi llogari shkodranit, e më pas Adili u mundua ta qetësonte dhe nxitoi ta shoqëronte drejt dhomave të zhveshjes. “Nuk po më pasojnë, s’kam marrë asnjë top. Çfarë bëhet kështu?!”, mësohet të ketë thënë Aralica në diskutimin me Adilin.

PIKANTET

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e tjera të ndeshjes në Rrogozhinë.

* Sulmuesi brazilian i Egnatias, Pedro Augusto Kabral, imitoi Latifin thuajse në të njëjtin moment gjatë zëvendësimit. Në një kohë që vëmendja ishte përqendruar te kosovari, në minutën e 74-t la fushën edhe Pedro, teksa në vend të tij u fut francezi Kris Gadi. Braziliani nuk e priti mirë zëvendësimin, duke thënë disa fjalë më tepër gjatë uljes në stol. Kjo e habiti jo pak trajnerin Gugash Magani.

bandicam 2021-11-08 16-07-34-113

* Në momentin e shënimit të golit me penallti nga Latifi, trajneri Tomas Brdariç u kthye nga tribuna ku ishin të vendosur tifozët shkodranë dhe u kërkoi atyre që të mbështesnin ekipin në ato momente.

* Stjuardë, policë bashkiakë dhe forca rendi kanë qenë të pranishme dje në të gjithë perimetrin e stadiumin për të garantuar sigurinë. Çdo gjë shkoi normalisht në shkallët e stadiumit dhe gjithashtu në fushën e lojës, ku interesant ishte fakti se nuk u dha asnjë karton i verdhë.

* Në mesin e fushës ishte vizatuar emri i sponsorit të Superiores, “Abissnet”, një risi kjo për stadiumet shqiptare. Mirëpo, në bazë të rregullores së lojës, nuk lejohen vijëzime të tjera brenda fushës.

* Kapiten i Egnatias në ndeshjen e djeshme ishte për herë të parë mesfushori Bruno Telushi, pasi shkodrani Ndriçim Shtubina nuk e nisi si titullar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"