Pikantet| Egnatia-Partizani/ Tifozë të shumtë për ndeshjen e parë, testohet edhe VAR-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2021 | 20:05

Pikantet| Egnatia-Partizani/ Tifozë të shumtë për ndeshjen e parë, testohet edhe VAR-i

Rrogozhina pati një ditë festive me rastin e provës së parë të stadiumit të ri me Egnatian që luajti një miqësore kundër Partizanit. “Panorama Sport” iu sjell pikantet e këtij takimi miqësor.

Egnatia-Partizani miqesore

* I gjithë ambienti i djeshëm që ishte krijuar të jepte përshtypjen sikur ishte një përballje zyrtare, por jo të ishte vetëm një miqësore. Të dyja skuadrat, Egnatia vendase dhe Partizani u përballën për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër midis tyre. Por në të dy rastet fituan të kuqtë, njëherë në Ohër 0-1, ndërsa dje me një gol më shumë, pra, 0-2.

* Edhe autorët e golave ishin të tjerë jo si më parë ku shënuan Sota dhe Selita që në pjesën e parë brenda katër minutash. E veçanta ishte se ishin të pranishëm mbi një mijë tifozë vendas që e kanë ndjekur gjithmonë Egnatian ndër vite, por dhe të ardhur enkas për të mos e humbur këtë ditë feste.

Egnatia Partizani

* Me klubin rrogozhinas, Bashkinë e qytetit, Policinë Bashkiake e të tjerë mbështetës që kishin bërë një organizim pune perfekte. Gjithçka nisi me një muzikë në foninë e stadiumit, mbërritjen e skuadrave njëra pas tjetrës, si dhe tifozët që nuk pushonin së ardhuri.

* Pas kryerjes së nxehjes, më pas rinisi dhe loja ku u duartrokitën skuadrat dhe ishte atmosferë elektrizuese. Gjithashtu, në tribunën VIP ishte kryebashkiaku Edison Memolla, presidenti Agim Demrozi e drejtori sportiv i të kuqve, Olsi Rama, bashkë me Genc Tomorrin.

* Kjo miqësore kishte të pranishme edhe provën e parë për VARin, që komandohej nga Sokol Jareci e në fushë gjykonte Laver Alla, Agaraj e Rexha, treshe e Superiores. Përballja shkoi shumë me nivel e Fair-Play gjatë gjithë kohës në terrenin e ri të fushës dhe të stadiumit, që ka marrë pamje dinjitoze. Në pjesën e dytë u anulua një gol i shënuar nga Zhunior, teksa ndërhyri VAR-i.

* Për Egnatian ishte përballja e parë përpara tifozëve të vet që nga mbyllja e sezonit, ndërsa të kuqtë pas kthimit nga Ohri që ishin në fazë, bënë ndalesë në Rrogozhinë. Tashmë do të përgatiten në vendin tonë e të kenë në plan të tjera miqësore, ashtu si rrogozhinasit deri në nisje të sezonit të ri.

* Përfundimi i miqësores solli dhe përshëndetjen midis lojtarëve, por u duk qartë edhe kënaqësia e tifozëve që u argëtuan së tepërmi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"