Pikantet e Vllaznia-Laçi/ Finalja e Kupës së Shqipërisë nisi me tym, FSHF-së nuk i dolën llogaritë për medaljet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 17:58

Pikantet e Vllaznia-Laçi/ Finalja e Kupës së Shqipërisë nisi me tym, FSHF-së nuk i dolën llogaritë për medaljet

31 maji po njësohet si dita e Kupës së Vllaznisë. Ashtu si një vit më parë, kur mundën 1-0 në “Air Albania” Skënderbeun në finale edhe këtë vit, në të njëjtën datë dhe në të njëjtin vend Vllaznia shpallet fituese e Kupës së Shqipërisë, ku dje mundi me përmbysje Laçin në një ndeshje që shkoi në kohë shtesë. “Panorama Sport” më poshtë do ju paraqesë disa pikante dhe të veçanta nga finalja e edicionit të 70-të të Kupës së Shqipërisë.

vllaznia - laci

*Organizimi nuk ishte në nivelin e duhur sa i përket hyrjes së tifozëve në stadium, pasi në tribunën përballë, në dy sektorët e tifozërive kishin hapur vetëm nga një portë duke krijuar pa shkak radhë dhe ngjeshje tifozësh në tribunën E. Për shkak të radhëve të gjata dhe pakënaqësive të tifozëve te sektori i shkodranëve më pas u hap edhe një portë tjetër, ku ndonëse ka sistem elektronik të kontrollit të biletave, ato u kontrolluan fizikisht nga një stjuard.

*Finalja e Kupës rezultoi si një prelud i festës së fëmijëve, 1 qershorit, pasi të shumtë ishin shkodranët e vegjël në tribuna. Edhe në këtë rast tifozëria shkodrane tregoi qytetari dhe dashuri në mbështetje të ekipit të zemrës, pasi të shumta ishin familjet prezente në tribuna. Mbështetja e fëmijëve të vegjël ishte e madhe për Vllazninë dhe pa dyshim kjo është një garanci që kuqebluve kurrë nuk do t’u mungojë mbështetja e tifozëve.

*Stadiumi “Air Albania” ende kishte pjesë të dekorit të finales së Ligës së Konferencës ku në pjesën ballore binte në sy veshja jeshile me të zezë ku në fasadë ishte e stampuar “TIRANA FINAL 2002”.

*Banderolë thumbuese e ultrasve të Laçit, e hapur në fillimin e ndeshjes. “Nuk ka Kukës as Vllazni, vetëm Laçi në veri. Para Laçi”

*Pas rreshtimit të të dyja ekipeve në fushë dhe ekzekutimit kombëtar në stadium nisi beteja e tymueseve. Gjithçka nisi me një tymuese blu që u hodh nga ultrasit shkodranë pas porte. Kundërpërgjigjen kurbinasit me breshëri tymuesesh bardh e zi në fushë.

*Ndeshja nis me 4 minuta vonesë, ku shkak u bë mungesa e shikueshmërisë nga tymueset e hedhura. Spikeri në stadium bën thirrje për vetëpërmbajtje duke paralajmëruar se mund të ndërpritej ndeshja nëse vazhdohej me hedhje sendesh.

*Minuta e katërt. Laçianët në ekstazë pas golit të Guindosë. Bie qetësia te tifozët shkodranë që menjëherë u bëjnë thirrje lojtarëve të Vllaznisë: “Luani me zemër!”

*Kaina Nunjesh, sulmuesi brazilian në pronësi të Vllaznisë, por që luajti te Kastrioti, ishte i pranishëm në stadium te sektori i tifozëve të Vllaznisë bashkë me gruan dhe fëmijën e tij. Bashkë me sulmuesin ishin edhe familjarët e brazilianit të Vllaznisë, Viktor da Silva. Madje, në pushim të ndeshjes Da Silva, që doli i dëmtuar nga ndeshja erdhi pranë tribunës ku ishin Kaina me familjarët e tij dhe bëri edhe foto me djalin e sulmuesit.

*Në minutën e 9-të Da Silva dëmtohet në zonë dhe familjarët e tij dhe gruaja e Kainës çohen në këmbë dhe kërkojnë penallti nga gjyqtari Xhaja.

*Tifozët shkodranë janë më të shumë në stadium dhe gjatë gjithë kohës u dëgjuan koret dhe këngët e ultrave të Vllaznisë. Në minutën e 18-të ultrasit shkodranë hedhin tymuese në drejtim të portierit Dajsinani. Mjetet piroteknike të hedhura nga dy tifozëritë në sektorët pas portave lanë gjurmë në tapetin e stadiumit, pasi flaka sjell djegien e pjesës së barit sintetik.

*Minuta 26. Lojtarët e Laçit kërkojnë karton të kuq për Aralicën për takën e vendosur në fytyrën e mbrojtësit Roganoviç.

*Minuta 29. Jonuzi nuk arrin që të kontrollojë një top pranë vijës fundore, por me atë rast me shenjë mundohet të karikojë ultrasit e Vllaznisë që janë shumë afër. *Trajneri Duro shpërthen ndaj të tijve për një top të humbur në mesfushën e Vllaznisë.

*Minuta 41. Gjyqtari akordon goditje dënimi për Laçin. Roganoviç e shfrytëzon ndërprerjen duke shkuar te pankina dhe merr një shishe ujë duke u freskuar.

*Në pushimin mes dy pjesëve të ndeshjes nisën të hyjnë brenda perimetrit të stadiumit pjesë të dekorit festiv. Gjatë nxehmjes në pushim Medi Çoba kapërceu rrethimin dhe shkoi te sektori i ultrasve duke bërë foto me disa fëmijë.

*Minuta 61. Një ultras i Vllaznisë lë sektorin pas porte dhe me megafon në dorë kalon barrierën e xhamtë dhe parakalon nga tribuna E ku ishin tifozët e tjerë shkodranë. Tifozi ia arriti qëllimit pasi në sinkron kemi një uragan festimi karshi Vllaznisë.

*Minuta 69. Arbitri Xhaja goditet me shishe nga ultrasit kuqeblu, në një moment pakënaqësie të shkodranëve. Ndërpritet ndeshja dhe gjyqtari shkon e komunikon me delegatin e ndeshjes, ndërkohë spikeri vijon ritualin e paralajmërimeve. Lojtarët e Vllazninë u kërkojnë ultrasve të tyre që të ruajnë qetësinë.

*Minuta 76. Ndërpritet ndeshja pasi nga sektori i ultrasve të Vllaznisë një tifoz arrin të futet në fushë, përqafon Ardit Krymin, dhe pas disa vrapimeve dhe devijimeve të stjuardëve, neutralizohet dhe dërgohet aty ku ishin të pranishme forcat e rendit.

*Minuta 82. Mazrekaj tërbon Duron me humbjen e topit në mesfushë, ku u dha mundësi shkodranëve për kundërsulm, por fatmirësisht kurbinasit ia hedhin pa dëme. *Sapo nis shtesa e parë e ndeshjes gjatë nisjes së një aksioni të Laçit, nga sektori i ultrasve të Vllaznisë hidhet një top i dytë në fushë. Gjyqtari nuk e vë re. Roganoviç kthehet prapa dhe e largon topin.

*Goli i Adilit bën që të shpërthejnë shkodranët, si në tribuna dhe në pankinë duke festuar. Ndërsa në sektorin e Laçit nis revolta, ku tifozët e shfryjnë inatin duke hedhur stola në fushë. Duro ulet menjëherë në stol pas pësimit të golit, por nuk qëndron gjatë dhe del sërish në drejtim pranë vijës anësore.

*Minuta 104. Në fushën e lojës hyn Medi Çoba. Sulmuesi gjatë hyrjes i jep disa udhëzime Jonuzit. Por mesfushori e thërret dhe ia bën me gjeste se nuk ka marrë vesh asgjë, pasi nuk e ka dëgjuar. *Në pushim mes dy shtesave 15-minutëshe tifozët shkodranë thërrasin në kor emrin e autorit të golit të dytë: Adili, Adili.

*Minuta 116. Uniformat blu lënë vendstrehimet e tyre dhe formojnë kordon policor para tribunave duke u dhënë sinjal tifozëve se askush nuk ka për të hyrë në fushë për të festuar apo protestuar.

*Përfundimi i ndeshjes. Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë, ndërsa Mirel Josa nis “show”-in e tij në fushë. Fillimisht trajneri shkon dhe takon me radhë ish-lojtarët e tij të Laçit që ishin shtrirë të dëshpëruar në fushë, pa harruar për të duartrokitur edhe tifozët kurbinasit që kishim mbetur ende në tribuna. Më pas nis festimi pranë sektorit të tifozëve shkodranë, ku nuk munguan duartrokitjet dhe ngritja e krahut me dorën grusht duke demonstruar forcën. Një festim revanshi për Josën, duke ditur që e shkarkuan nga Laçi disa javë para se të merrte drejtimin e Vllaznisë. Pas paradës festive Josa i çliruar ulet në pankinë duke hapur dy krahët dhe duke treguar se ishte i çliruar dhe i gëzuar. Në këtë moment vjen ish-lojtari i tij te Laçi, Velkoski, që i jep dorën. Josa çohet në këmbë dhe e përshëndet.

* Çudira shqiptare! Në momentin kur po shpërndaheshin medaljet, stafi i Vllaznisë ishte shumë i zgjeruar dhe FSHF-së nuk i dolën llogaritë. Me rregullore shpërndahen vetëm 30 medalje të arta, por në fund sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, u kujtua që duhet të ruante një për Gurishtën, teksa po diskutonte me presidentin Armand Duka.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"