Pikantet e Teuta-Partizani/ Ultrasit vonohen, ankohen te trajneri Daja për zëvendësime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 20:15

Pikantet e Teuta-Partizani/ Ultrasit vonohen, ankohen te trajneri Daja për zëvendësime

Teuta-Partizani u luajt në “Elbasan Arena” dhe blutë e Edi Martinit triumfuan me rezultatin 1-0. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e kësaj sfide.

Tifozet me lojtaret

– Ndeshja do të niste me ceremoni të vogël për ish-kapitenin e Teutës që i dha fund futbollit të luajtur, Renato Arapi. Disa fëmijë të vegjël patën veshur uniformat me emrin e tij në fanellë. Ndërkohë, Arapi shqelmoi edhe topin e parë.

– Lojtarët e Partizanit dolën në fushë me një fanellë me dedikim për viktimat në Tetovë, si pasojë e zjarrit në një spital Covid, me mbishkrimin: “Lutemi për Tetovën”. Madje, në krah mbanin edhe një shirit të zi. – Si ndeshja hapëse e kampionatit, FSHF-ja pati menduar edhe një organizim të vogël. Futbollistët djem dhe vajza bënë koreografi dhe lojëra me topin, ndërkohë që në sfond luhej kolona zanore e “Eye of the tiger”.

– Ekipi i Teutës “harron” të bëjë foto para nisjes së sfidës, me lojtarët që u shpërndanë nëpër pozicionet e tyre në fushë. Gjithsesi, në fund kujtohen dhe bashkohen për të bërë foton.

– Në stadium rikthehet droni, por pa ndonjë mesazh kësaj here. Ishte kameramani i Federatës, i cili thjesht po filmonte ceremoninë e hapjes.

– U mendua në fillim se tifo-grupi “Ultras Guerrils” që mbështet ekipin e Partizanit nuk do të ishte i pranishëm në stadium, pasi loja kishte filluar dhe nuk po dukeshin. Mirëpo, pesë minuta nga nisja e saj mbërritën.

– Mbrojtësi i Teutës, Adolf Selmani vijon të luajë në versionin “gladiator” për shkak të maskës mbrojtëse që mbante në fytyrë. – Në të 34-ën tifozët e Partizanit irritohen me kryesorin Xhaja, pasi pretendojnë se portieri Qirko e ka mbërthyer topin me dorë jashtë vijave kufizuese.

– Ka shumë pakënaqësi në lojën e të kuqve nga vetë tifozët e saj, pasi lojtarët nuk janë të kthjellët në fushë dhe humbasin shumë topa, më së shumti me Carën që në dy momente vonon pasimin për shokët.

– Gjatë pjesës së parë loja u ndal disa herë për shkak të dëmtimeve të lojtarëve, por në fund akordohen vetëm dy minuta shtesë. Tifozët e Partizanit nuk pranojnë vendimin dhe kapen me gjyqtarin e katërt.

Tifozet e Partizanit ndaj Teutes

– Në momentin e akordimit të penalltisë me anë të VAR-it ka ankth nga të dyja tifozëritë në stadium. Secila palë jepte mendimin e vet me shpresën se do të influenconin te kryesori.

– Tifozët e kuq kapen me Dajën, ku edhe pse bëri tri ndërrime kërkonin të tjera. Daja i bezdisur sheh nga tribuna me këta të fundit që i kërkojnë të shohë nga fusha dhe jo nga ata.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"