Pikantet e Teuta-Laçi/ Josa “fantazist” dhe Shehi që vëzhgon, kryebashkiaku zbret në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2022 | 11:46

Pikantet e Teuta-Laçi/ Josa “fantazist” dhe Shehi që vëzhgon, kryebashkiaku zbret në fushë

Teuta-Inter Eskalades 0-2, më 22 korrik 2021 për Ligën e Konferencës. Ishte kjo ndeshja e fundit e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” dhe që prej asaj dite fusha iu nënshtrua një rinovimi total, që mori plot 8 muaj kohë për t’u përuruar dje në Teuta-Laçi, që si për ironi të fatit u mbyll me humbjen 1-2 të “djemve të detit”.

Foto" F. Hazisllari

Foto” F. Hazisllari

Përpara se të niste ndeshja, u zhvillua ceremonia e inaugurimi të tapetit, teksa u pre edhe shiriti nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, si dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Fatbardh Jera. Ky i fundit, në mungesë të Armando Dukës dhe Ilir Shulkut, përfaqësonte dje institucionin e futbollit.

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së luajtur në “Niko Dovana”.

* Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, i cili është durrsak, ndoqi Teuta-Laçi nga tribuna qendrore, i shoqëruar nga dy figura të njohura të futbollit në qytetin bregdetar si ishsulmuesi Gentian Begeja dhe ish-mbrojtësi, Markelian Xhai. Të tre së bashku janë shpallur kampionë me Teutën në vitin 1994.

* Teuta-Laçi kishte rikthyer në stadiumin e Durrësit edhe presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili qëndroi në tribunën VIP.

* Pas shënimit të golit të parë në minutën e 6-të, mesfushori i Laçit, Serxho Ujka, vrapoi drejt stolit kurbinas për t’ia dedikuar golin trajnerit Mirel Josa.

* Ndeshja nisi në 17:45, ndërsa ekipi i Teutës mbërriti në “Niko Dovana” që në 16:20. Lojtarët panë gjendjen e fushës dhe menjëherë më pas u futën në dhomat e zhveshjes për një minianalizë. Edhe në nxehje, skuadra durrsake u fut më herët se zakonisht e mbylli disa minuta përpara kundërshtarit, me Arapin që ka pasur nevojë t’u japë më shumë udhëzime futbollistëve.

* Arapi kërkonte qarkullim topi, ndërsa nga ana tjetër, Josa udhëzonte për presing të lartë nga dy lojtarët e sulmit në momentin që Teuta do të kishte topin në zotërim në zonën e saj.

* Trajneri i Laçit, Josa, festoi më shumë pas golit të dytë të Adelekes, duke mos u përmbajtur. Ndërsa në minutën e 86-të, pas një topi të ardhur në drejtim të pankinës kurbinase, trajneri bëri një stopim fantastik, duke marrë edhe duartrokitje nga tifozët. Mesa duket Josa nuk i ka humbur reflekset si një mesfushor me tipare sulmuese dikur, teksa këtë herë bëri… “fantazistin”.

* Në minutën e 74-t u hodh një tymuese në fushë nga jashtë stadiumit.

* Kapiteni Emiljano Vila bënte shpesh edhe trajnerin në fushë, duke dhënë udhëzime të shumta për shokët e skuadrës. Nga stoli, Arapi thërriste herë pas here ndihmësin e tij, Hodo, për të diskutuar mbi lëvizjet e skuadrës. “Dublazh, dublazh. Foli Qaqit…”, ishin disa nga britmat e Arapit dhe Hodos drejtuar qendërmbrojtësit Jazxhi.

* “Ujke, Ujke! Futu brenda, mos qëndro aty”, thërret një moment Josa me zë të lartë gjatë lojës ndaj mesfushorit, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve.

* Në fund të ndeshjes, një tifoz durrsak ngacmon Josën: “Ndeshjen tjetër do mundesh profesor”. Trajneri i Laçit nuk ia përton: “Do e shohim, pa merak…”. Ky moment kalon me të qeshura.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"