Pikantet e Shqipëri-Izrael/ Reja flak xhaketën si Alegri dhe rrëzohet sërish, Uzuni “kundër rrymës” te himni (E PLOTË)
Pritshmëritë për një fitore të Kombëtares në ndeshjen e djeshme ndaj Izraelit ishin të mëdha nga të gjithë dhe kjo ishte e drejtë deri në minutën e 58- të, atëherë kur kundërshtari barazoi.
Një atmosferë europiane që nga fillimi, tifozët, këngët që ata këndonin, stadium i mbushur me mbi 16 mijë mbështetës dhe një shi i lehtë që i jepte një lezet tjetër lojës.
Përveç këtyre, ky takim kishte shumë momente pikante, si në nisje, gjatë apo edhe në përfundim të ndeshjes.
Reja që rrëzohet pas himnit dhe tërbohet me lojtarët e tij kur loja luhej, momentet e VAR-it që shkaktuan shumë protestime nga futbollistët tanë dhe deri tek incidenti me makinën e presidentit të federatës, Armand Duka, në përfundim të sfidës.
“Panorama Sport” po ju rendit të gjitha momentet e veçanta nga ndeshja e dytë e Kombëtares, e humbur në shtëpi me Izraelin 1-2.
* Lojtarët dalin në fushë dhe nuk mungojnë edhe takimet me kundërshtarin: Broja, Gjasula, Bajrami, Abrashi dhe Gjimshiti takojnë disa lojtarë të Izraelit, që dikur kanë qenë si bashkëlojtarë në ekip, Zvicër, Holandë apo Itali.
* Portierët e Izraelit ishin ata që dolën të parët në nxehmje dhe pati edhe një moment kontestimi nga tifozët tanë.
* Tifozë me bluzën e Çelsit në tribunën qendrore, teksa mësohet se ishin familjarët e Armando Brojës.
* Sokol Cikalleshi e ndoqi takimin te vendet e medias. Në tribunë ishte gjithashtu edhe Emir Lenjani, që pardje firmosi në Turqi. Të dy nuk ishin të gatshëm.
* Fërshëllima në momentin që del kundërshtari në nxehmje, ndërkohë që pas pak fillojnë edhe koret: “Shqipëri Etnike” dhe “O sa mirë me qenë shqiptar”.
* Reshjet e shiut pritën momentin që dolën lojtarët në nxehmje dhe atëherë nisën sepse më parë nuk po binte.
* Ndërkohë që ekipi kombëtar bëhej gati për ndeshjen, ekipi Shpresa po darkonte te restoranti i stadiumit. Ata ishin të gjithë si grup bashkë në mbështetje të Kombëtares A.
* Të pranishëm shumë politikanë, ministra dhe deputetë, por gjithashtu në stadium ishte edhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Gledis Nano.
* Përpara fillimit të ndeshjes, në shenjë respekti u shpalosën flamujt dhe një banderolë brenda në fushë ku jepej një mesazh për paqen.
* Gjatë ekzekutimit të himnit, i vetmi futbollist kuqezi që zgjodhi ta këndonte me dorën në zemër ishte sulmuesi Myrto Uzuni.
* Në momentin kur mbaron himni ynë, trajneri Edi Reja kthehet direkt dhe pengohet. Ngrihet dhe qesh edhe vetë.
* Ndeshja filloi me 7 minuta vonesë për shkak se një pjesë e tifozëve të Kombëtares hodhën disa letra në formë shiritash në fushë. Porta u mbulua komplet dhe e gjithë zona e 16-shes. U deshën nisa minuta për ta pastruar dhe më pas ndeshja vazhdoi në normalitet. Përveç stafit të stadiumit, në punë për të pastruar u vu edhe portieri Etrit Berisha.
* Entuziazëm dhe koreografi e jashtëzakonshme e tifozërisë kuqezi në shkallët e “Air Albania”-s. Teksa po ekzekutohej himni i Shqipërisë, “Tifozët Kuq e Zi” hapën në tribunën e tyre një banderolës ku në një televizor, shfaqej harta e Shqipërisë së madhe, teksa brenda tij shkruhej “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë”. Ndërkohë, sipër banderolës së madhe, u shfaq një tjetër banderolë ku shkruhej “Besa, Besë, Besën ta kam dhënë”.
* Reshjet e shiut shtohen teksa luhet dhe minutat kalojnë. Protesta e parë ndaj gjyqtarit e teknikut Reja është ajo e ndërhyrjes së ashpër që i bëhet Balliut.
* Momenti i Shqipërisë, dominojmë dhe stadiumi ngihet në këmbë, po ashtu edhe Reja që me një xhup dhe me kapuç të vendosur, bërtet duke udhëzuar lojtarët për të sulmuar, si një komandant që urdhëron ushtarët të hidhen në sulm.
* Shqipëria kërkon penallti për një ndërhyrje që i bëhet Uzunit, por portugezi Martins nuk është i këtij mendimi pasi konsultohet me sistemin VAR.
* Akordohet penallti për kuqezinjtë, këtë herë mbrojtësi izraelit prek topin me dorë. Pas disa minutash, gjyqtari e sheh në VAR dhe e anulon. Nuk kishte prekje topi me dorë. Broja ndërkohë ishte bërë gati për të gjuajtur, por zhgënjehet.
* 45′, e treta e vërteta, Balliu rrëzohet në zonë dhe faull. Jepet 11-m për Kombëtaren tonë. Protesta nga izraelitët që kërkojnë të rishikohet me VAR. Aty ndërhyn edhe Reja, që u kërkon që të mos bëjnë gjithmonë “grindavecin”.
* Teksa Armandoja bëhet gati të gjuajë penalltinë, i gjithë stadiumi thërret emrin e Brojës. I saktë dhe Shqipëria në avantazh. * Broja shënon dhe lojtarët nuk festuan të vetëm, pasi festës së tyre iu bashkuan edhe dy tifozë, të cilët u futën në fushën e lojës. Ata ndiqen me vrap derisa kapen nga sigurimi.
* Dy tifozë specialë kanë qenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Air Albania” për të ndjekur nga afër duelin. Te njëra fanellë, tek ajo me ngjyrën jeshile shkruhej “Berisha”, ndërkohë te fanella e zezë, shkruhej “Meta”. Mbi emra këto që përkojnë me dy politikanët, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta.
* Minuta e 57-të, Izraeli barazon me kundërsulm. Trajneri Reja nuk mban dot nervat për atë top të humbur dhe shpërthen duke hequr xhaketën dhe gati duke e flakur në stilin “Alegri”, ndërkohë që po u bërtiste lojtarëve me të madhe, duke hyrë edhe disa metra brenda në fushë.
* Gjasula rri në pritje. Fillimisht bëhet gati për t’u aktivizuar rreth minutës së 60-të, por italiani ndërron mendje. Kthehet sërish në nxehmje për t’u futur në të 67-ën. Në vendin e tij del Bajrami që duket se nuk është edhe aq dakord për zëvendësimin.
* Izraeli përmbys në të 73- ën dhe zhgënjimi kaplon tifozët në “Air Albania”.
* Barazon Hysaj dhe gjithë stadiumi në festë, por është sërish VAR që i anulon golin për pozicion të parregullt.
* Tri zëvendësime radhazi në të 84-ën për Shqipërinë: Vrioni, Balaj dhe Çekiçi hyjnë në fushë.
* Vonesa të njëpasnjëshme nga izraelitët, aq sa tifozët shpërthejnë te cepi i kornes duke hedhur sende në fushë. Gjyqtari afrohet dhe merr një send që ia jep arbitrit të katërt. Ishte shkopi prej druri i daulles
* Shqipëria doli pa pikë nga sfida përballë Izraelit të luajtur në shtëpi. Gjithsesi, një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Gjatë daljes së tij nga stadiumi, makinës së tij i çahet goma, duke i shkaktuar probleme gjatë daljes nga parkimi i stadiumit. Më pas ai largohet me një automjet tjetër.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"