Pikantet e sfidës Teuta-Skënderbeu/ Thirrjet e hoxhës u sjellin fat korçarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2021 | 15:43

Pikantet e sfidës Teuta-Skënderbeu/ Thirrjet e hoxhës u sjellin fat korçarëve

-Ndeshja ka nisur me një minutë heshtje, në nderim të legjendës durrsake, ish-portierit dhe trajnerit Vladimir Ajazi. Skuadrat u rreshtuan më rrethin e mesit të fushës para fillimit të ndeshjes.

TEUTA

– Të pranishëm në stadiumin e Kamzës ishin të dy presidentët e skuadrave. Edmond Hasanbelliu i Teutës u pozicionua më herët në tribunën VIP. Më pas u paraqit Ardjan Takaj, të cilit homologu i tij i Teutës ia bën me shenjë duke i treguar se duhet të kalonte që të pozicionohej pranë tij.

Vangjel Zguro, kapiteni i Skënderbeut, në 5 minutat e para bëhet protagonist. Fillimisht ka një kontakt mes tij dhe Beqjes, si dhe Vangjelit, dhe rrëzohet në fushë. Anësori i thotë që të ngrihet se s’kishte gjë, por Zguro ndërhyn direkt: “Çfarë thua more, më goditi kupën e gjurit, nuk e shikon? Mirë që nuk jep faull, por më thua të çohem”. Asnjë minutë dhe përsëri një tjetër lojtar korçar rrëzohet i dëmtuar. E përsëri anësori, Astrit Mahmuti, i thotë Zguros: “Hë mo, çoje se s’ka gjë!” Zguro i kundërpërgjigjet: “Si s’ka gjë, nuk e shikon që është çarë në hundë”. Gjatë momentit të shënimit të golit, kapiteni Zguro ka shkuar duke përqafuar trajnerin Migen Memelli, ndërsa golin e dytë e ka festuar në një mënyrë të veçantë, me krahun të ngritur.

LORENCO VILA

Në minutën e 20-të “këndon hoxha në minare” dhe një tifoz korçar që ishte ulur poshtë tribunës VIP, shprehet: “Hë se po këndon për ne”, dhe sapo përfundoi këndimi i ezanit, vjen edhe goli i korçarëve, shënuar nga Mensah. Tashmë tifozi nuk përmbahet: “E shikoni që e ka pasur seriozisht hoxha thirrjen për ne”. Por një nga stafi durrsak shkundi shishen e hapur me ujë në kokën e tifozit e ky drejtohet ta godasë me grusht, por largësia mes tyre e la goditjen në tentativë. Menjëherë përgjegjësi i sigurisë që pa situatën, me shumë mirësjellje e largon tifozin korçar që andej, duke e vendosur në një vend tjetër.

TEUTA 1

Në minutën e 48-të Lorenco Vila shënon golin e tij të dytë, duke gëzuar me shokët, por kur arrin në mesfushë, sheh që topin e ka akoma portieri korçar, atëherë kthehet nga arbitri: “Ça thua more, ai ishte supergol”. Por konfirmimin e parë nga VAR-i e merr vesh trajneri Martini dhe u thotë lojtarëve që është gol dhe fillon festa sërish. Në të 57-ën për një faull të dhënë gabim duke kthyer vendimin nga në favor të Skënderbeut për Teutën, arbitri u kërkoi ndjesë lojtarëve: “Ishte një lapsus”.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"